Transmetuar më 07-09-2023, 11:23

Varianti Eris i infeksionit Covid-19, i emërtuar për nder të perëndeshës greke të sherrit, shënon një rritje të re të infeksioneve siç regjistrohet nga buletinet e Ministrisë së Shëndetësisë në Itali dhe ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Për më tepër, një hulumtim i publikuar në platformën "bioRxiv", i cili shpjegon se si ky variant i ri ka një aftësi më të madhe për të infektuar mushkëritë, është gjithashtu shqetësues. Sipas studimit, i cili u krye nga Universiteti i Tokios përmes një sërë eksperimentesh mbi "hamsters", varianti i ri Eris duket se ka një aftësi më të madhe për të infektuar mushkëritë.

Kjo mund të përkthehet, të paktën për disa pacientë, në manifestime më të rënda të Covid-19. Megjithatë, për momentin kjo është një hipotezë që kërkon konfirmim.

SIMPTOMAT – Për sa iu përket simptomave të variantit të ri Eris, ekspertët raportojnë se pacientët e prekur nga varianti zhvillojnë një pamje klinike të ngjashme me atë të nënvariantit të mëparshëm Omicron.

Këto janë kryesisht ankesa të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si dhimbje të fytit, kollë e thatë, kongjestion dhe rrjedhje hundësh, dhimbje koke, zëri i ngjirur, dhimbje muskujsh dhe kyçesh.

Kristina K.Bryant, specialiste e sëmundjeve infektive të fëmijëve në "Norton’s Children’s Infectious Diseases", tha për "Health" se "disa njerëz madje thanë se mendonin se kishin alergji". Më pas mjekja shtoi se, duke qenë se është varianti dominues, nuk duhen nënvlerësuar manifestimet.

SI KANE NDRYSHUAR SIMPTOMAT ME KOHËN – Që nga shfaqja e virusit në vitin 2020, disa simptoma janë bërë më të zakonshme dhe të tjera më pak. Për shembull, humbja e shijes dhe nuhatjes, e cila ishte një simptomë e zakonshme në atë kohë, është zvogëluar shumë.

Hulumtimi i ri i publikuar në revistën "Otolaryngology-Head and Neck Surgery", zbuloi se rreziku i humbjes së shqisës së nuhatjes dhe shijes për shkak të varianteve të fundit Omicron të Covid-19 është 6-7%, dhe se është e mundur që humbja e shijes dhe aromave mund të mos shfaqet më.

Simptomat gastrointestinale, të tilla si nauze, të vjella dhe diarre, gjithashtu duken të jenë më pak të zakonshme me kalimin e kohës. Mjekët raportuan gjithashtu më pak raste të sindromës inflamatore multisistemike tek fëmijët (MIS-C).