Transmetuar më 16-07-2023, 19:39

Bëjini vetes një nder dhe fitoni qetësi e relaks në pushime, duke marrë masa paraprake. Sidomos nëse keni fëmijë të vegjël, sepse sëmundjet e tyre janë ende një territor i panjohur. Virozat mund të ndodhin kudo dhe kurdo. Mund të jenë të bartura prej pak ditësh aty ku jetoni, ose mund të kapen atje ku keni udhëtuar. Ndaj mbanin shënim çantën emergjente që ju sjell më poshtë noa.al

TIRANË – Ndodh shpesh kur jemi në udhëtime apo pushime, që të përballemi me dhimbje. sëmundje, viroza, apo incidente.

Këto ndodhin sidomos tek fëmijët. Ndaj redaksia e noa.al realizoi këtë raport special, pasi foli me mjeke pediatre në Tiranë si dhe 2 farmaciste, që të gjitha, me përvojë të gjatë pune.

Është e rëndësishme të kuptojmë se kur jeni jashtë vendit, disa medikamente nuk jepen pa recetë mjeku, si ibuprofeni që në Turqi nuk lejohet pa letrën e mjekut.

Kur fëmija përballet me temperaturë të lartë, ibuprofeni është zgjidhje e mirë, por nëse nuk e keni me vete, do të vërdalliseni në klinika private të rajoneve turistike turke, pasi turistët gjithmonë dërgohen tek to, duke u mbajtur jashtë spitaleve publike.

Përveç rraskapitjes dhe kostos së lartë që nis nga 150 euro vizita e transporti, do të merrni stresin e shtrimit dhe analizave të shumta që do tju kërkohen si procedurë sipas tyre e domosdoshme edhe pse rastet mund të jenë të thjeshta apo të lehta.

Për të shmangur dukurinë me të cilën janë përballur shumë turistë shqiptarë dhe të huaj, merrni masa edhe për gjëra të tjera.

Më poshtë gjeni disa produkte mjekësore që duhet t’i keni me vete.

Merrni krem dielli me mbrojtje 30 deri 50. Merrni gjithashtu solucion pas djegies nga dielli. Pajisuni me solucion për mbrojtjen nga mushkonjat. Mos harroni kurrsesi paracetamol dhe ibuprofen, në lëng dhe tableta, si për fëmijë dhe të rritur.

Merrni ilaç për diarre e po ashtu dhe për ndaljen e të vjellave. Mos harroni dhe hidratues. Mbani me vete termometër, e po ashtu dhe një kuti të ndihmës së shpejtë. Mos harroni as suposte për uljen e temperaturës për fëmijët në rast se dhënia nga goja ju bëhet e pamundur.

Ju duhet dhe shurup për kollë, bimor ose tjetër.

Merrni ujë të oksigjenuar dhe betadinë për dëmtime të mundshme e gjithashtu krem kundër djegies në incidente të mundshme.

Mos harroni ilaç për veshët sepse infeksionet nga pishinat janë të shpeshta dhe ju shkatërrojnë pushimet.

Merrni ilaçe për qetësimin e dhimbjeve të barkut e po ashtu ju të rriturit përdorni 1 lugë gjelle uthull molle nëse keni ngrënë shumë dhe keni vështirësi tretjeje.

Mos harroni ilaç kundër pickimit nga kandilët e detit e nëse nuk e keni, përdorni lëngun e bimës së aloe vera, që zakonisht gjendet në plot hotele pushimesh.

Në frigoriferin e dhomës duhet të keni për çdo rast një qese xhelatinoze tek akulli. Ose në pamundësi një shishe të vogël uji të ngrirë.

Nëse keni alergji duhet të mendoni dhe për to, e patjetër ilaçe që mund të përdorni për sëmundje të ndryshme.

Një historik i ecurisë së vizitave mjekësore, tuajat dhe fëmijëve, është mirë të kihen me vete për çdo eventualitet.

Pushime të mbara dhe komentoni më poshtë te Komentoni nëse duhet shtuar diçka tjetër 👇