Transmetuar më 30-05-2023, 11:31

Tiranë- Henrik Hoxha ka dëshmuar paraditen e sotme në GJKKO për dy atentatet me katër viktima të ndodhura në Durrës tre vite më parë, ku humbën jetën vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhela Avdija.

Hoxha është futur në ambientet e GJKKO, i veshur me bluzën e Realit të Madridit ku kishte të stampuar emrin e tij dhe ka dëshmuar për një orë 30 minuta.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit dhe kemi folur më pas për t’u takuar. Dumani më premtoi 60 mijë euro nga të cilat më dha 34 mijë sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky ka qenë në timon, unë të sedilja e pasme e pasagjerit. Kam pasur dy pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli.

Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza. Madje ky i ka dalë para Avdiajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar.

Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka deklaruar ai.