Transmetuar më 25-11-2022, 11:40

Nuk mjaftuan ‘brekët nëpër shalë’ gjatë ndeshjes me Brazilin. lojtarët serbë shkojnë dhe ngushëllohen në dhomat e zhveshjes me hartën e Kosovës dhe ngjyrat e flamurit të tyre. Duan të kenë pak mbështetje e simpati nga mijëra tifozë të zhgënjyer nga loja e dobët e tyre.

Tifozët serb kanë zgjedhur ta lënë pas pra futbollin dhe të shpalosin simbole nacionaliste në stadium.

Ata kanë hapur një flamur ku shihet harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb. Dhe jo vetëm kaq. I njëjti flamur është gjendur edhe në dhomën e zhveshjes të lojtarëve serbë.

Mbi hartën ku duket Kosova shkruhet “Nuk ka dorëzim”, edhe pse futbollistët serbë iu dorëzuan Brazilit në fushën e lojës.

Një provokim i tillë është i ndëshkueshëm sipas rregullave të FIFA-s, megjithatë deri tani nuk ka ardhur ende ndonjë reagim.

Kujtojmë që Serbia është në një grup me Zvicrën e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës, të cilëve iu është ndaluar të festojnë me “shqiponjën dy krenare” në këtë botëror, ndërsa në atë paraardhës u ndëshkuan me gjobë për një festë të tillë.