Transmetuar më 23-11-2022, 12:22

DURRËS- Një incident u regjistrua ditën e djeshme në Durrës mes një qytetari dhe Kryeministrit Edi Rama.

Personi, i cili u shoqërua ditën e djeshme në polici pas debatit me kreun e shtetit, ka treguar se çfarë ndodhi në të vërtetë. Mit’hat Hazbiu tha se ‘debati me Ramën nisi për shkak të përmbytjeve në Durrës’. Hazbiu shtoi se Rama nisi ta bullizonte dhe thirri më pas Gardën teksa shton se u kërcënua se do e fusnin në burg. Ai zbulon se u shoqërua në polici ku iu nënshtrua një kontrolli të rreptë sic pretendon ai.

‘Ishte një takim te lagja me kryeministrin. Pata debat mora fjalën dhe i thashë kjo që keni bërë këtu në Erzen nuk është e nevojshme, ju na keni mbytur 3-4 here iu kemi thirrur dhe keni ardhur. Nuk na keni likujduar. Kryeministrit nuk i erdhi mire, duke më bullizuar, tentoi edhe me duar vetë kryeministri, i ka filmimet vetë kryeminstri, se nuk ishin tv e tjera, përderisa nuk ka transparencë në media, kryeministri pastaj urdhëroi gardën dhe më izoluan dhe kërcënoi se do më fuste në burg. Ishte përplasje e dhunshme, kryeministri kërkoi të përplasej me mua.

Më mori policia e Durrësit, çdo gjë kaloi në një kontroll të rreptë, i kontrolluar në çdo drejtim. Më morën celularin, më futën në dhomat e izolimit, më morën në pyetje. Policia nuk duhet të bie pre e shantazhit, ai erdhi vetë për debat, nuk e kërkuam ne. Më çuan në spital se pata probleme me tensionin, mediat bën punën e vet. Nuk kanë me ça të më kërcënojnë. Ai i ka me diplomat fallco të gjithë. Kryeministri po bëhet i dëmshëm”- tha ai për faxnews.

Denoncimi për këtë rast u bë ditën e djeshme nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Meta tha dje se qytetari në fjalë ka përfunduar në spital pasi është ndaluar nga policia. Sipas Metës, qytetari i ka kërkuar Ramës që të mos bëjë propagandë me zonat e përmbytura.