Transmetuar më 04-11-2022, 14:34

Kosovë- Zbulohen detaje të reja nga rasti i rëndë i dhunimit të 70-vjeçares Minire Nuraj, nga personeli i azilit ku ajo ishte strehuar, në Pejë.

Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës, i gjithë akti i shëmtuar ishte planifikuar paraprakisht dhe dyshohet se Aurona Pelaj, kishte rënë dakord me dy koleget e saj, Altinën dhe Remzien, që me anë të forcës të vinin nën kontroll të moshuarën.

Gjithë ngjarjen e planifikuar, Pelaj kërkoi që ta kenë të dokumentuar edhe më anë të incizimeve përmes telefonit, detyrë me të cilën u ngarkua infermierja tjetër, Remzija. Sipas Prokurorisë, edhe pse të dyshuarat e kanë ditur gjendjen e rënduar shëndetësore të të moshuarës, nuk kanë hezituar që ndaj saj të përdorin forcë.

Nga ana tjetër, Remzija në Gjykatë ka mohuar të ketë qenë ajo që ka qeshur me veprimet e koleges të saj, duke thënë se të qeshurat që dëgjohen në sfond, ishin të Altinës dhe të infermieres tjetër, Giltiana Nezirit.

Keqtrajtimi i të moshuarës në qendrën "Orenda" në Pejë ka tronditur opinionin publik dje pas videos së publikuar në rrjet ku e ëma e një dëshmori të UÇK-së, Taulant Nurajt, Minire Nuraj kishte rënë pre e dhunës shtazarake nga kujdestarja Aurona Pelaj. Infermierja Aurona Pelaj bashkë me 2 nga shoqet e saj është arrestuar ndërsa në hetim është vajza e katërt.