Transmetuar më 03-11-2022, 17:10

Kosovë- Dalin para gjykatës tre infermieret e dyshuara për dhunën ndaj të moshuarës. Në një video të siguruar nga Klan Kosova shihen tri të dyshuarat duke u futur në sallën e gjykatës.

Nga ana tjetër, Oda e Infermierëve të Kosovës ka vendosur që t’ua tërheqë licencën infermiereve që ishin të përfshira në rastin e rrahjes së të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë. Ky vendim vjen pas një takimi urgjent që Oda e Infermierëve të Kosovës mbajti me prokurorinë dhe Këshillin Etik.

Keqtrajtimi i të moshuarës në qendrën "Orenda" në Pejë ka tronditur opinionin publik dje pas videos së publikuar në rrjet ku e ëma e një dëshmori të UÇK-së, Taulant Nurajt, Minire Nuraj kishte rënë pre e dhunës shtazarake nga kujdestarja Aurona Pelaj. Infermierja Aurona Pelaj bashkë me 2 nga shoqet e saj është arrestuar ndërsa në hetim është vajza e katërt. Debati ka përfshirë edhe Shqipërinë në lidhje me situatën nëpër qendrat e kujdesit të të moshuarve.