Transmetuar më 14-09-2022, 13:20

Fillimi i vitit të ri shkollor vuri në lëvizje jo vetëm prindër e nxënës, por edhe trafikantët e drogës. Këta, shfrytëzojnë moshën delikate të adoleshencës duke abuzuar me nxitjen e rinisë që të konsumojnë lëndë narkotike. Ata po shfaqen dendur pranë shkollave të kryeqytetit duke krijuar dhe mbajtur klientelë me moshat shkollore.

Në lidhje me dukurinë, sot u njoftua operacioni policor i koduar "Supplier 3", kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë.

Policia tha se janë goditur 3 raste të veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke vënë në pranga 4 shtetasit që kryenin këtë veprimtari kriminale.

Në këtë aksion janë kapur rreth 700 gr lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në doza, gati për shitje, një sasi lënde narkotike heroinë, 2 peshore elektronike, 2 përforcues grushti, 2 aparate celulare dhe qese farmaceutike për ndarjen e lëndës narkotike në doza.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative, se dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike cannabis sativa, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e tyre.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. K., 26 vjeç, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe D. K., 48 vjeç, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Gjatë kontrolleve fizike ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 700 gramë sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje, dy peshore elektronike dhe qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e lëndës narkotike në doza.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit D. K., 26 vjeç, iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 përforcues grushti (doreza metalike).

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta 2 shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike cannabis sativa në sasi të mëdha, e ndanin atë në doza të vogla dhe më pas e shisnin pranë shkollave, në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Supplier 3”, po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. V., 48 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 48-vjeçari e shpërndante lëndë narkotike heroinë në disa zona të Tiranës;

Po ashtu u ndalua dhe H. P., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, e ndante atë në doza dhe e shiste në zona të ndryshme të Tiranës. /noa.al