Transmetuar më 03-07-2022, 08:23

SARANDË- Zbulohen detaje nga ngjarja e mbrëmjes së kaluar që ndodhi në maternitetin e Sarandës ku nëna Mandalina Jashari u hodh nga kati i dytë bashkë me foshnjen e saj.

Mjeku në maternitetin në Sarandë, Tajar Lako ka komentuar rastin. Ai bëri të ditur se akti ishte një shenjë tentative për t’u larguar nga spitali. Po ashtu, ai sqaron se nëna dhe foshnja ishin në gjendje të mirë shëndetësore para se të ndodhte ngjarja e rëndë.

‘Në datën 28 qershor rreth orës 02.20 ka lindur nga një lindje normale. Është fëmija i gjashtë. Lindja ka ecur shumë mirë dhe ka vazhduar në ditët në vazhdim trajtimi i nënës dhe fëmijës nga mjekët përkatës dhe çdo gjë në shëndetin e tyre ishte normale. Që ditën e tretë duke parë kushtet e nënës që duket pak me prapambetje burrin e saj nuk mund ta gjenim se nuk vinte në spital u thashë infermiereve që nëse shihnin burrin e saj të vinte në maternitet ai të kontaktonte me mua. I gjithë stafi ka qenë i përkushtuar për rastin me qumësht, me rroba për fëmijën, të siguruara nga spitali. Duke qenë se këta janë të ardhur në qytet në sezon thjesht për të lypur atëherë unë nuk mund ta nxirrja fëmijën nga materniteti se nuk dija kushtet e banimit dhe ku t’i shpinim”, thotë mjeku.

Ai tregon se ka komunikuar me drejtorin e spitalit dhe më pas i kanë nisur një shkresë zyrës së shërbimit social, ku kanë mësuar se adresa e familjes në fjalë ishte herë në në Durrës, herë në Berat herë në Gjirokastër. Ndërkohë gjendja shëndetësore e nënës dhe fëmijës aktualisht është e mirë.

“I ndodhur në këto kushte komunikoj me drejtorin e spitalit dhe i nisim bashkisë një shkresë zyrës së shërbimit social, madje edhe gojarisht ka folur për rastin edhe shefja e burimeve njerëzore dhe përgjigja e tyre ishte se adresa e tyre rezultonte herë në Durrës, herë në Berat herë në Gjirokastër dhe ne nuk kishim siguri se ku dhe ishim në pritje për të marrë një adresë të saktë se ku mund t’i çonim. Kjo për arsye se unë një fëmijë dy-tre ditësh që ta nxirrja në rrugë me temperaturat 40 të ditës apo të ftohta të natës, pasi këta nuk kanë banesë, nuk mund ta nxirrja. Tani me nënën merret mjeku gjinekolog, mjeku ortoped, reanimatori ndërsa unë merrem me trajtimin e foshnjës. Foshnja gëzon shëndet”, shprehet ai.

Mjeku shpjegon se nëna është zvarritur nga dritarja duke e mbrojtur fëmijën me trup gjë që sipas tij tregon se ajo ka tentuar të largohet nga spitali dhe jo të vetëvritet.

“Nuk pati gjë se nëna pasi është kacavjerrë nga dritarja në shesh është gjetur që e kishte fëmijën të lidhur tek gjoksi dhe barku për ta mbrojtur. Nga çfarë shihet këtu nuk ka pasur tentativë të nënës për t’u vetëvrarë por tentativë për t’u larguar nga spitali” thotë mjeku pediatër Tajar Lako.

35-vjeçarja Mandolina Jashari nga Durrësi, u hodh mbrëmjen e djeshme në orën 22:00, nga kati i dytë i maternitetit bashkë me foshnjen e saj. Fatmirësisht lartësia nuk ka qenë e madhe dhe se si nëna si i porsalinduri janë dëguar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Arsyet se përse nëna mori këtë vendim të rëndë ende mbeten mister.