Transmetuar më 02-07-2022, 10:29

Neymar nuk ka marrë asnjë moment kohë për të përfituar nga klauzola, që e lejonte atë të rinovonte automatikisht edhe një sezon më shumë nga 1 korriku. Kështu, braziliani zgjat marrëdhënien e tij me PSG deri në vitin 2027.

Sulmuesi nënshkroi rinovimin e tij të fundit në vitin 2021 për tri vite, ndërsa ka ushtruar klauzolën e zgjatjes vjetore me klubin në dy raste (në korrik 2021 dhe 2022). Pavarësisht se në Paris mendojnë seriozisht për transferimin e tij, lojtari duket i gatshëm ta mbajë fort pagën e tij milionere.

Performanca e tij te skuadra pariziene ka rënë, por nga rrethi i lojtarit janë optimistë për sezonin e ardhshëm. “Ai do të ketë një nga sezonet më të mira të karrierës së tij”, – kanë rrëfyer të afërmit e brazilianit.

I lidhur me PSG-në për pesë sezone, braziliani është mërzitur pas deklaratave të Nasser Al-Khelaïfi, i cili tha se "disa do të vijnë dhe të tjerë do të shkojnë”. Këto fjalë zemëruan rrethin e lojtarit, teksa një vit më parë morën miratimin e Al-Khelaïfi për vazhdimësinë e brazilianit në projekt. Gjithçka duket se ka ndryshuar pas rinovimit të Mbappe.

Ndërkohë, braziliani vazhdon të marrë 30 milionë euro neto në vit, një pagë e papërballueshme për klubet e mëdha që e duan në merkato. Lojtari është i vetëdijshëm se nëse largohet nga Parisi, paga e tij do të duhet të ulet ndjeshëm.

Prandaj, ai do të donte ta zgjaste sa më shumë fazën e tij në "Parc des Princes", mundësisht deri në fund të karrierës. Sezonin e kaluar, Neymar luajti gjithsej 28 ndeshje për PSG-në dhe shënoi 13 gola. Ai pati shumë probleme fizike dhe humbi më shumë se 20 ndeshje për shkak të dëmtimit, shifra të papërballueshme për një futbollist të nivelit të tij.

Pak muaj para Kupës së Botës në Katar, nëntorin e ardhshëm, ish-lojtari i Barçës do të dëshirojë të rikuperojë formën e tij më të mirë. Brazili ka nevojë për ’10’ më të mirë, që të luftojë për Botërorin e gjashtë në histori.