Transmetuar më 01-07-2022, 15:24

Droga është një fenomen mjaft prezent në Shqipëri. Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” ishte i ftuar një 37-vjeçar, i cili rrëfeu varësinë e tij ndaj heroinës dhe se si i vdiq i vëllai nga përdorimi i drogës.

Fillimisht ai tregoi se ka nisur të konsumojë drogë kur i janë divorcuar prindërit, por nuk e dinte se çfarë po pinte pasi ia kishte dhënë një fqinj. Madje ai mësoi se personi në fjalë i kishte dhënë heroinë edhe vëllait të tij të vogël.

Drini rrëfeu se njëri nga vëllezërit e tij ka ndërruar jetë nga heroina, e duke qenë se e ka parë duke ndërruar jetë në duart e tij, ai ka vendosur që ta lërë. Kanë kaluar 7 muaj që ai nuk është droguar.

Nga ana tjetër, ai është i martuar dhe ka dy vajza, për të cilët tha se janë një frymëzim që ai të lërë drogën. Drini u shpreh se ka jetuar 3 vite në Itali, ku ka shkuar në moshën 11-vjeçare dhe atje nuk e ka përdorur drogën.

Pjesa e dytë e intervistës:

Kur u riktheve nga Italia e rinise?

Është një sëmundje e pashërueshme. Nëse nuk ke një motiv nuk e lë dot. Erdha në Shqipëri dhe nisa heroinën, me ineksione kësaj radhe. Kur erdha këtu, njoha persona të tjerë, ishin shtuar njerëzit që kishin nisur heroinën.

E konsumonin edhe vëllezërit?

Në atë kohë vetëm njëri nga vëllezërit e konsumonte, tani edhe i vogli.

Ishte e shtrenjtë heroina në atë kohë?

5 mijë lek të vjetra një ineksion dhe e gjeje kollaj fare

Në atë kohë ke qenë 16 vjeç?

Kam qenë 14 vjeç

Ku i gjeje lekët?

Kur erdha nga Italia kam qenë në jetën e endacakut, ku lypja, ku mblidhja kanaçe.

Vidhje?

Unë vetë nuk kam vjedhur, por kam rënë pre. Kanë vjedhur ata që unë rrija me të dhe unë rashë viktimë, bëra burg. Po të qëndrosh me një person 24/7, do të thotë se e kam bërë edhe unë.

Nga 14 vjeç deri para 1 viti e ke lënë drogën?

Deri para 7 muajsh. Më vdiq vëllai, ishte ai forca dhe fëmijët që unë të lija heroinën. Duhej të ndodhte kjo gjë, që unë të shkëputesha nga kjo gjë. I dha trumpozë në këmbë. Ka tentuar që ta lërë. E kam parë të vdiste në duar të mia, ka dhënë shpirt në duart e mia. Ndihem fajtor se nuk guxova të merrja më para ambulancën në telefon. E pashë se po i zbardhnin sytë, i ikte bebja.

Si është gjendja e vëllait

Është shumë keq, me një këmbë në varr. Ai e ka lënë dy muaj para se të vdiste vëllai

Çfarë thonë mjekët, do ia dalë?

Këtu kam frikë se i janë dëmtuar organet. Sa çohet nga gjumi bën dy hapa dhe me zor merr frymë.

Drini në fund falënderoi edhe bashkëshorten e tij, e cila i ka qëndruar gjithmonë pranë.