Transmetuar më 01-07-2022, 14:43

Situata e Shakirës është delikate jo vetëm për shkak të ndarjes së saj me Gerard Piqué, por për gjithçka që kjo nënkupton. Prej disa muajsh këngëtarja është e komplikuar emocionalisht, edhe pse duket se zgjidhjet po vijnë.

Pasi borxhi i saj ndaj Thesarit Spanjoll u bë publik, këngëtarja kolumbiane arriti një marrëveshje ekonomike për të rregulluar situatën e saj në raport me drejtësinë fiskale të shtetit iberik.

Sa i përket ndarjes nga Gerard Pique, fillimisht u fol për "ngritjen e mureve" në shtëpinë e tyre në Barcelonë, por duket se situata do të shkojë më tej. Tashmë këngëtarja po e mendon seriozisht transferimin e saj në Miami të SHBA, ku ka një vilë luksoze.

Arsyeja? Ndihet e trishtuar në Barcelonë, sipas informacioneve të zbuluara nga gazetarët që e kanë ndjekur nga afër divorcin e bujshëm. Pavarësisht se ka jetuar për shumë vite në Barcelonë, gazetarët sigurojnë se ylli i pop-it nuk ka miqësi të forta në këtë qytet.

Kjo arsye e ka shtyrë t’i propozojë ish-partnerit të saj të zhvendoset në Miami bashkë me dy fëmijët. Diçka që qendërmbrojtësi i Barcelonës nuk e ka pranuar asesi, pasi nuk dëshiron që fëmijët e tij, Milan dhe Sasha, të shkojnë aq larg.

Prandaj, Pique iu ka kërkuar avokatëve që Shakira të mos i marrë dot fëmijët pa pëlqimin e tij si baba. Për momentin të gjithë do të qëndrojnë në Barcelonë, ndërkohë që familja do të gjejë një zgjidhje të dobishme për të dyja palët në gjykatë.