Transmetuar më 29-06-2022, 15:58

“Rasti” i Romelu Lukakut është për studim psikologjik. Ai kishte shkuar te Chelsea verën e kaluar, por tashmë mezi priste të rikthehej tek Interi, siç do të ndodhë më në fund. Megjithatë, nuk është një rast unik. Hernán Crespo, gati 20 vite më parë, gjurmoi të njëjtën rrugë: Inter-Chelsea-Inter.

"Lukaku ka vendosur të kthehet dhe unë e kuptoj atë. Tek Interi ndihej si mbret, ndërsa te Chelsea jo. Është çështje dashurie dhe kur zemra është e përfshirë, gjërat shkojnë pothuajse gjithmonë mirë", – pranoi Crespo, tani trajner i Al-Duhail, duke folur për “Gazzetta dello Sport”.

“Ndjenja” e Crespos duhet të ketë qenë shumë e ngjashme me atë që ka përjetuar Lukaku: “Vendosa të kthehem në Itali, sepse ndihesha rehat në Serie A. Isha i dashuruar me Milanon dhe fanellën zikaltër”.

Crespo, ashtu si Lukaku shkoi te Chelsea i pakënaqur: “Sapo kisha blerë një shtëpi në Milano dhe papritmas më thirrën për të më thënë se më kishin shitur te Chelsea. Kisha ardhur një vit më parë për 36 milionë dhe më shitën 26.

Është një operacion që nuk e kuptova kurrë. Më kujtohet që Vieri u zemërua shumë, por nuk kishte asgjë për të bërë. Kështu kishte vendosur ish-trajneri Cúper". Interesante, Crespo u kthye në Milano për të luajtur për Milanin në vitin 2005.

Vetëm në vitin 2006, këtë herë, ai u kthye te Interi. “Kisha fituar Premier League, fitova edhe ‘Scudetton’. Fitova tre trofe, në fakt. Këtë ia uroj edhe Lukakut”, – ka përfunduar ish-sulmuesi argjentinas, tashmë trajner.