Transmetuar më 29-06-2022, 15:03

Gjermani- Një burrë është arrestuar në Gjermani, pasi la në shkallët e një gjykate një kokë njeriu.

Dëshmitarët e lajmëruan policinë të martën në mbrëmje, pasi e panë të dyshuarin duke e vendosur kokën te hyrja kryesore e Gjykatës së Qarkut në Bonn.

Policia gjermane tha se një trup, nga i cili besojnë se është këputur koka e vendosur para gjykatës, është gjetur disa qindra metra më larg, afër Lumit Rhine.

I dyshuari, një burrë 38-vjeçar nga Bonn-i, u arrestua pasi u gjet afër ndërtesës së gjykatës.

Policia tha se personi i arrestuar është i njohur për autoritetet, sidomos për krime me substanca narkotike.

Viktima nuk është identifikuar ende, por besohet se është një burrë 44-vjeçar, sipas gazetës gjermane, “General Anzeiger”.

Hetuesit thonë se, sipas hetimeve fillestare, edhe i dyshuari, edhe viktima ishin persona të pastrehë. Policia ende nuk ka gjetur ndonjë armë.

“Prapavija e krimit është ende e paqartë. Kemi vetëm dy lokacione deri më tani. As rruga që e ka bërë i dyshuari nuk dihet. Në këtë moment, ne vetëm mund ta përshkruajmë skenën”, tha zëdhënësi i policisë, Robert Scholten. (noa.al/M.D)