Transmetuar më 11-06-2022, 19:30

Policia e Shtetit dhe Avokati i Shtetit kanë sekuestruar zyrat e Partisë Demokristiane dhe të Partisë Republikane, ndërsa PBDNJ-në e ka nxjerrë në rrugë.

I vetmi që ka reaguar ishte kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ai ka akuzuar zyrtarët e shtetit se po ashtu janë marrë edhe dokumentet e partive.

Ndoka akuzon qeverinë Rama se kërkon asgjësimin e pluralizmit në vend.

Kreu i Pdk ka informuar zyrtarisht Presidentin, Kryeministrin si dhe institucionet ndërkombëtare në vend, OSBE, BE e SHBA.

“Pushtet arrogant, Avokati i Shtetit dhe Policia e Shtetit, dhunojnë selitë e tre Partive Opozitare (PDK, PR e PBDNJ).

Pushteti pasi dështoi me pengun Basha në Opozitë, i është vërsulur partive të tjera politike.

Mbas sulmit të zyrave të FRD, në shënjestër tashmë Partia Demokristiane e Shqipërisë, PDK, Partia Republikane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Shtetit në mënyrë arbitrare sekuestron zyrat dhe merr peng të gjithë dokumentat e dy partive politike PDK e PR, ndërsa Policia e Shtetit nxjerr në rrugë PBDNJ.

Kemi informuar zyrtarisht Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin e Shqipërisë (megjithëse ky është urdhëruesi i plaçkitjes), institucionet ndërkombëtare në vend, OSBE, BE e SHBA-të.

Dhunimi barbar i zyrave të tre partive politike, pengmarrja e dokumentacionit dhe arkivave, shenja të një pushteti arrogant e kriminal, që kërkon asgjësimin e pluralizmit politik. Partia Demoktistiane e Shqipërisë, PDK Zyra e Shtypit”, thotë Ndoka.