Transmetuar më 09-06-2022, 07:25

Kthjellimet dominojnë motin në territorin shqiptar deri në mesditë kur priten vranësira të shpeshta nëpër të gjithë vendin duke sjellë rrebeshe shiu, më të theksuara në zonat malore verilindore dhe juglindore. Sipas MeteoAlb, nuk përjashtohet mundësia e breshërit në zona të izoluara. Po ashtu, edhe pasditja vijon me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të dendura në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të ulen si në mëngjes po ashtu edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 10°C deri në 30°C.

Era do fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi Jugperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 – 4 ballë.

Kosova Pjesa e parë e ditës do të sjellë në Kosovë mbizotërim të motit të kthjellët në pothuajse të gjithë territorin. Por në pjesën e dytë të ditës priten kalime vranësirash, të cilat herë pas here do te gjenerojnë rrebeshe shiu.

Maqedonia e Veriut Alternime kthjellimesh dhe vranësirash karakterizojnë kushtet e motit në territorin e MV për gjatë gjithë 24-orëshit. Vranësira disi më të dukshme do të ketë gjatë pasdites duke rrezikuar shira të përkohshëm dhe lokalë, kryesisht në zonat në kufi me Shqipërinë.

Rajoni dhe Europa Gadishulli skandinav si edhe ishujt Britanikë do të jenë mbizotërimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike duke sjellë vranësira dhe shira në formë shtrëngatash. Po ashtu, pellgu i Mesdheut do të paraqitet me vranësira konvektive, rrebeshe shiu si edhe breshër. Ndërsa Evropa Jugperëndimore, Evropa Lindore dhe pjesërisht qendra e kontinentit mbizotërohen nga moti i kthjellët dhe temperatura relativisht të larta.