Transmetuar më 04-06-2022, 12:04

Nga Fatos Salliu

Si çdo vit u festua në Shijon të Elbasanit festa e Shën Gjon Vladimirit. Nga viti në vit kjo festë po merr përmasa më të mëdha dhe shërben si simbol i bashkimit.

Historia mbi 1000 vjeçare e manastirit të Shën Joan Vladimirit

Manastiri i Shën Joan Vladimirit është vendosur në afërsi të fshatit Shijon të komunës Bradashesh, 10 km larg Elbasanit. Është një ndër qendrat më të vjetra monumentale historike dhe fetare në Shqipëri. Ende nuk ka një moshë të saktë për këtë objekt. Në këtë vend ka ekzistuar një kishë, para se të rindërtohej nga Karl Topia në vitin 1381.

Manastiri ndodhet pranë vijës antike Egnatia në degëzimin e saj që të çon për në Petrelë. Kulmin e lulëzimit manastiri e arriti në shekullin e XIV. Por lavdia e vërtetë e tij zë fill më 4 qershor 1016 kohë kur në këtë vend u varros një Shenjt me origjinë sllave me emrin Joan Vladimiri( Gjon Vladimiri). Për më shumë se 7 shekuj manastiri i Shën Joan Vladimirit ishte kthyer në qendrën më të rëndësishme fetare në të gjithë vendin , madje edhe më gjerë. Maniastiri i Shën Joan Vladimirit ishte në rivalitet me akademinë e Voskopojës. Për shkak të rëndësisë dhe peshës që kishte ndodhte shpesh që dhespotët e Durrësit ta zhvendosnin qendrën e tyre në këtë manastir.

Joan Vladimiri, si u bë Shenjt

Sipas gojëdhënave Joan Vladimiri ishte një princ me origjinë Malazeze. Gjatë dyndjes së sllavëve në Ballkan e Arbëri, princi përshkonte shpesh rrugën antike Egnatia. Sa herë kalonte në Elbasan, Joan Vladimiri ndalej dhe falej në një kishë të vogël në degëzimin e vijës Egnatia për në Petrelë, aty ku sot ndodhet fshati më emrin Shijon. Emri i fshatit Shijon vjen nga bashkimi Shën- Gjon. Joan Vladimiri ishte i martuar me motrën e Carit të Bullgarisë. I biri i Carit nisi ta shohë me xhelozi famën në rritje të Joanit dhe mendoi se ai mund ti merrte një ditë fronin. Ndaj vendosi që ta vrasë. Për këtë organizoi një komplot dhe e vret pabesisht kur ai ishte duke udhëtuar përgjatë vijës Egnatia. Gojëdhëna tregon se Princi Joan ishte një besimtar i devotshëm dhe mbante gjithmonë me vete një kryq me bisht të gjatë. Në çastin e ekzekutimit ai kërkoi në emër të kryqit që të mos e vrisnin. Por vrasësit kishin urdhër. Ata i presin kokën me shpatë dhe shkojnë ti japin lajmin Carit. Kali bashkë me trupin dhe kokën e prerë udhëton drejt manastirit në të cilin ai falej gjithmonë. Sipas gojëdhënës kali me trupin dhe kokën e prerë ka udhëtuar disa ditë për tu ndalur më pas në manastir. Pamja e rrallë pati efekt të jashtëzakonshëm në popullsinë e zonës përreth e cila merr pjesë në varrimin e Shën Gjonit. Pas asaj që panë, ata e cilësuan princin Shenjt dhe e pagëzuan Manastirin me emrin e tij.

Sipas historianëve

Gjon Vladimiri ishte Princ i Krajës. U vra më 4 qershor të vitit 1016 në Prespë në betejën kundër bullgarëve. Pas vrasjes kisha e shpalli shenjtor. Fillimisht është varrosur në Krajë nga e shoqa e tij Kosara. Por Perandori Bizantin me origjinë bullgare Mihal Komneni e zhvarrosi dhe e solli skeletin e tij në Durrës. Në vitin 1381 Karl Topia, që e konsideronte veten Mbret të Shqiptarëve, e zhvarros lipsanin dhe e sjell në kishën e vjetër të Shën Gjonit. Edhe pse ishte katolik, Karl Topia e rindërton duke e bërë 4 herë më të madh manastirin. Në hyrje të manastirit Karl Topia vendos stemën e tij dhe dedikimin e gdhendur në tre gjuhë, latinisht, greqisht dhe sllavisht. Në këtë mbishkrim thuhet “ Karl Topia mbret i shqiptarëve e ndërtoi këtë manastir për lavdinë e tij”. Shën Gjoni shpallet shenjt dhe çdo 4 qershor në manastir nisën të kryheshin ritualet fetare. Më pas në këtë vend filluan të zhvilloheshin panairet. Panairi i Shën Gjonit zgjaste një javë dhe frekuentohej nga pelegrinë që vinin nga i gjithë vendi dhe viset e Ballkanit. Shumë shpejt kthehet në qendrën më të madhe fetare, peshkopale dhe kulturore. Në atë kohë Skampis (Elbasani i sotëm) bënte pjesë në themën e Durrësit dhe ndodhte shpesh që dhespotët e Durrësit ta transferonin qendrën për në Shën Gjon. Kjo edhe për faktin se mjaft prej tyre ishin me origjinë nga Scampis.

Visarion Xhuvani hierarku i fundit

Për më se 7 shekuj manastiri i Shën Joan Vladimirit ka qenë qendër e rëndësishme kishtare me ndikim të madh në jetën kulturore dhe arsimore në Elbasan e më gjërë. Herarku i fundit që jetoi në manastir ishte Visarion Xhuvani, themelues i Kishës Autoqefale Shqiptare. Edhe pse kaloi një kalvar të vërtetë vuajtjesh, Visarion Xhuvani nuk u largua, vdiq dhe u varros në manastir.

Akoluthia, libri i parë për Elbasanin botuar në Shën Gjon

Manastiri i Shën Gjonit ishte veçanërisht i famshëm për literaturën historike dhe kishtare që dispononte. Zotëronte vlera të jashtëzakonshme në arkitekturë, në mjedise të punuara në art dhe në pasuritë e mëdha të ikonostasit. Në vitin 1690 nën kujdesin e manastirit në Venedik u bë e mundur botimi i librit të parë për Elbasanin i quajtur Akoluthia. Libri ribotohet në Voskopojë në vitin 1741 për tu pasuar më pas me dy botime të tjera në Venedik në vitet 1771 dhe 1858. Në vitin 1900 manastiri vizitohet nga konsulli rus i Manastirit ( qytet në Maqedoni) i cili merr aty një libër me vlera të rralla në të cilin ishin regjistruar të gjithë dhuruesit mes të cilëve edhe Skëndërbeu. Nga vitet 1900-1940 në manastir ushtrojnë aktivitetin e tyre klerikët më të lartë të Elbasanit. Manastiri vizitohet nga studiues dhe shtetas të huaj.

Gjermanët, dogjën manastirin

Monumenti më i rëndësishëm historik i mesjetës shqiptare zotëronte një bibliotekë nga më të pasurat e kohës. Manastiri kishte edhe një koleksion të rrallë ikonash të shekullit të XIV, disa prej të cilave ruhen edhe sot. Në mure vihen re ornamente të hershme dhe mbishkrime të vona. Portali i gdhendur në manastir është montuar në Muzeun Kombëtar. Në fillim të shekullit të XX ai u bë shkollë e rëndësishme për rilindasit tanë. Deri në vitet 40 të shekullit të kaluar manastiri mbahej mirë. Në vitin 1944 gjermanët i vënë flakën duke djegur gjithçka ndodhej brenda tij. Humbja ishte mjaft e madhe. Banorët e fshatit shpëtuan ç’të mundnin. Gjatë viteve të diktaturës manastiri u la në harresë dhe vetëm në vitet e demokracisë ai nisi të marrë formën e mëparshme.

Lipsani me eshtrat e shenjtit dhe rikthimi i pelegrinëve

Mitropolia e Tiranës ka nën kujdestari një arkë të vogël shumë të vjetër në të cilën ndodhen eshtrat e shenjtit Joan. Çdo 4 Qershor kotekistët ( kujdestarët) e marrin arkën dhe e sjellin në manastir në mënyrë që pelegrinët të takohen me shenjtin. Irine Gega kotekist shprehet se Lipsani ndodhet nën kujdestarinë e Mitropolisë së Tiranës dhe vetëm një herë në vit udhëton për në Elbasan. Lipsani ruhet me fanatizëm ashtu siç e meritojnë Shenjtët. Pas viteve 90 çdo 4 Qershor në këtë vend organizohet panairi dhe festa e Shën Joan Vladimirit. Numuri i besimtarëve ka qenë gjithnjë e në rritje. Në manastir vijnë pelegrinë nga të katër anët e vendit dhe nga vendet fqinjë si Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia, Maqedonia etj. Shën Joan Vladimiri është kthyer në një festë fetare Ballkanike. Besimtarët shprehen se vijnë në këtë vend për më shumë mirësi, dashuri e harmoni. Për të pastruar shpirtrat, madje edhe për tu shëruar nga sëmundjet. Pas festës pelegrinët festojnë në kodrat aty pranë.