Transmetuar më 25-05-2022, 12:04

Policia e Shtetit ka frikë se huliganët do të vazhdojnë dhe sot të shkaktojnë trazira ndaj ka dy porosi për qytetarët shqiptarë dhe për bizneset.

Për shqiptarët, ajo thotë se duhet të rrinë larg tifozëve të huaj ndaj kërkon që ta marrin seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare "për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë".

Ndërsa për bizneset, u kërkohet që pavarësisht nga çmimet që kanë dhe cilësinë e lokaleve, të shesin vetëm me gota plastike dhe të zhdukin nga tavolinat, shishet e qelqit.

"Ne apelojmë bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike", tha zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Albert Dervishi.

Nga ana tjetër, policia shqiptare kërkon edhe që tifozët e Holandës dhe Italisë, "të sillen dhe veprojnë si qytetarë europianë, në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet".

Policia kujton faktin se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” është vepër penale dhe kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me me burgim gjer në pesë vjet.

Edhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, është vepër penale që dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Mbrëmjen e sotme në ish stadiumin Qemal Stafa, sot Arena Kombëtare, zhvillohet ndeshja finale e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës dhe Feyenoordit. /noa.al