Transmetuar më 12-05-2022, 08:12

Performanca e Ronela Hajatit në “Euovision” mbrëmjen e djeshme, ku nuk arriti të kualifikohjet dot për në fazën finale, i ka ndarë shqiptarët në opinionet e tyre. Ka nga ata, si profesor Artan Fuga, që e konsiderojnë atë pozitive:

“Ishte një thirrje për çlirim nga maçizmi, protestë për liri ndaj autoriteteve autoritare që bëjnë shiun dhe breshërin mbi kokat e rinisë, e keqpërdorin atë, apel kundër edukatës që bazë ka nënshtrimin, dhunën psikologjike dhe fizike ndaj femrës!

Kundër pseudomoralistëve që në emër të turpit kërkojnë të fusin shqisat dhe dëshirat në kafaze, e për rjedhojë krijojnë kushte për shpërthime animaliteti si reaksion ndaj diktaturës shpirtrore. Revoltë ndaj trajtimit të trupit si mall!

E masakrojnë pikërisht për atë që kjo trupë në këtë performancë thotë të kundërtën e asaj që akuzohet! Na e plasi në surrat të vërtetën! Dhe si çdo e vërtetë na plagos në krenari, në rehati, në narcizëm!

Fati i çdo gjëje që trondit skorjet e kthyera në moral! Kush e bën digjet në turrën e druve! Shpesh as skllavi nuk dëshiron të çlirohet! Respekt edhe për shijet dhe këndvështrimet estetike që janë kundër dhe ndryshe nga të miat!”

Ka të tjerë që e kritikojnë fort, sikurse duket në mesazhin e mjekut tonë të njohur infeksionist, Tritan Kalo: “Mirmëngjes e ditë të mbarë miq, të afërm, dashamirës e bashkëatdhetarë. A mundet ndokush të më sqarojë se çfarë “Sekreti” fshehu në ‘Eurovision’ këngëtarja Ronela Hajati…

Degradimi i shumëçkaje në jetën tonë artistike kulmoi mbrëmë me këtë përfaqësim, ku përpos pasthirmave ishin edhe gjestikulacionet erotike të kërcimit, ato që krijonin jo pak ‘ndotje akustike’ dhe ‘pullëkuqëzime pamore’.

Dritëro Agolli i madh, thelbin e degradimit shumëplanësh të shoqërisë sonë demon-kratike e gjente të zëvendësimi i MERITOKRACISË me SHKËRDHATOKRACINË… ”KANABIZIM” i gjithçkaje: i politikës, i ekonomisë, i rinisë, i muzikës, i dijedhënies dhe i dijemarrjes, i mjaft emisioneve televizive dhe mbi të gjitha ERRËSIMI TYMOR KANABISOR i vetë ardhmërisë sonë.

Shumë e trishtë për të gjithë ne dhe shumë inkurajuese për braktisjen e vendit drejt theqafjes emigratore, sidomos nga të rinjtë. Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit!!!”