Transmetuar më 18-01-2022, 20:46

Këto po bëhen skena të zakonshme me ndarjen e PD në dy kampe.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u prit me fyerje nga disa protestues demokratë në njësinë nr.7 në kryeqytet.

“Basha ik! Ik o palaço! O kriminel, o hajdut!”, u dëgjuan teksa Basha po shkonte drejt takimit.

Basha iu është përgjigjur duke ngritur dy gishtat lart dhe i buzëqeshur.

Mes protestuesve, ishte dhe avokati Fatmir Merkoçi. Ai reagoi i indinjuar pasi nuk u lejua të merrte pjesë në takimin e thirrur nga Basha, edhe pse është njëri prej themeluesve të PD. Përpara mediave,

” Ky nuk është një takim i bërë nga Basha, por një shfaqje për të hedhur hi syve duke thënë se po bën takime me demokratët. Basha këtu ka marrë vota kur ka qenë deputet dhe ky njeri pa pikën e turpit deklaron se kemi takim vetëm me njerëzit tanë. Unë e kam nisur në dhjetor të 1990 ku kam pasur me vete vetëm 10 vetë dhe sot na del një misionar që ka mision prishjen dhe shkatërrimin e PD. Kur pengohem unë themeluesi i PD, imagjinoni se çfarë ndodh me njerëzit e tjerë. Tashmë ne quhemi të përjashtuar përderisa nuk pranohemi në takim”, tha Merkoçi.