Transmetuar më 14-01-2022, 07:46

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka folur në lidhje me pozicionin e Presidentit të Republikës në rast se Ilir Meta do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Nikolla pohoi se nëse Kushtetuesja e shkarkon Metën, ajo do të bëhet Presidentja e parë e Shqipërisë.

“Le të presim vendimin në respekt të gjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Preferoj të mos bëj koment në këtë pjesë.

Nëse e parasheh ne kemi gjithë detyrimin për të respektuar Kushtetutën. Nëse ka ndonjë zgjidhje tjetër, por nuk ka. Pasi kushtetuta e ka të përcaktuar që e merr kryetari i Parlamentit. Nuk ka zgjidhje tjetër. Është vetëm zgjidhja kushtetuese.

Unë patjetër kam detyrimin të zbatoj ligjin dhe kushtetutën e vendit.

Por nuk dua që në prag të vendimmarjes së Gjykatës Kushtetuese nuk dua të marr të mirëqenë vendimin e saj".

Nikolla u ndal më tej te zgjedhjet e parakohshme lokale në disa bashki ku rezultuan socialistë të zhytur në afera kriminale.

"Zgjedhjet lokale të pjesshme duhet të mbahen sa kohë që ligji zgjedhor shikon që këto institucione nuk kanë ndjekur rrugën ligjore, kjo nuk është një eksperiencë e re në Shqipëri.

Janë mbajtur edhe më parë zgjedhje të pjesshme në Shqipëri”.

“Do të ketë dekret presidencial. Kjo është ajo që duhet të ndodhë. Në detyrën e kryetares së Kuvendit nuk mund të përcaktoj nëse do ketë zgjedhje këtë qershor.

Nikolla foli për një mundësi bashkëpunimi me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri.

"Është një qasje që është thënë edhe nga kryetari i PS që do ketë diskutim dhe komunikim edhe me opozitën.

Rama është shprehur që është i hapur për bashkëpunime madje duke mos vendosur vija të kuqe.

Kjo nuk është përgjigje që jepet me të rënë të lapsit. Nuk është diskutuar në PS konkretisht. Jemi të hapur për këtë gjë por nuk kemi një diskutim shterues në PS”, u shpreh Nikolla.