Transmetuar më 12-01-2022, 14:30

Teksa po shënohen çdo ditë shifra të larta të infektimeve me Covid-19, mjeku infeksionist, Arben Tanka ka dhënë detaje në lidhje me situatën pandemike në të cilën ndodhet vendi ynë.

Sipas tij, shtrimi në spitale vijon të jetë i ulët, ndaj nuk duhet që ta marrim shumë për bazë pasi deri më tani më të prekur janë moshat e reja. Sipas tij, nëse do të preken të sëmurët kronik apo të moshuarit mund të kemi ndryshim shifrash.

Ndër të tjera ka bërë me dije se deri më tani krahasuar me periudhën e vjeshtës kemi një numër më të ulët të vdekshmërisë.

“Mund të kemi dhe rritje të shtrimeve në spitale pasi mund të preken persona me sëmundje të tjera shoqëruese dhe moshat e mëdha. Prekja e moshave të reja ndikon dhe në faktin që kemi pak shtrime në spitale. Për momentin sistemi me moshat e reja nuk do të mbingarkohet sistemi spitalor, por ato mund ta përhapin më shumë virusin, në krahasim me një të moshuar që izolohet në shtëpi.

Vdekshmëria krahasuar me periudhën e vjeshtës është më pak, por krahasimi fillon që të bëhet nga java tjetër për të parë dhe pasojat e festave në infektimin e njerëzve. Një gjë për tu theksuar është dhe rritja e bërjes së tamponëve që do të thotë se janë rritur dyshimet mes qytetarëve. Testet besoj se do të jenë në rritje për shkak të shenjave që mund të kenë qytetarët”, është shprehur mjeku.