Transmetuar më 05-09-2021, 20:16

E la në tribunë fare në ndeshjen ndaj Polonisë, edhe sot u kujtua shumë vonë për ta aktivizuar djaloshin e artë, të cilit i besoi Chelsea, teksa i ofroi kontratë 4-vjeçare, duke i hyrë shumë në hak 19-vjeçarit kuqezi. Edy Reja e ka marrë leksionin sonte nga Armando Broja, i cili shënoi golin historik, të parin ndaj Hungarisë, kur golaverazhi ndaj këtij kundërshtari ishte 19-0.

Djaloshi i artë i kombëtares iu dha leksion edhe shokëve të skuadrës, sidomos atyre sulmues, se si shënohet goli, duke tentuar edhe nga distanca të largëta, prej nga edhe kampionë të mëdhenj e kanë të vështirë t’i tundin rrjetat kundërshtare.

Me të drejtë, brohorimat dhe kamerat ishin të gjitha të fokusuara te Broja në fund të kësaj ndeshjeje të dominuar me lojë totalisht, por që po shkonte drejt një barazimi pa shumë vlerë për tanët. Për koincidencë, djaloshi 19-vjeçar i shpëtoi edhe stolin trajnerit italian, tepër i kritikuar pas humbjes së thellë në Poloni, që vijon me kokëfortësinë e tij të mos ndryshojë as skemë dhe as emra në sulm.

Fitore tepër e çmuar e kuqezinjve, që parakalojnë Hungarinë në renditjen e Grupit I. Sikurse e thamë më lart, ishte dominim gjatë gjithë ndeshjes nga kombëtarja jonë, me Hungarinë e amullt, e lodhur fizikisht, pas asaj disfate 4-0 ndaj Anglisë, tri ditë më parë.

Sigurisht, tifozët kuqezinj, që ktheheshin pas shumë kohësh në stadium prej pandemisë, ishin shtysa e madhe për Shqipërinë, lojtarët e së cilës dhanë më shumë se 100%. Mund ta kishim zhbllokuar rezultatin e bardhë që në pjesën e parë, ku rasti i Kumbullës, veçmas të tjerëve, ishte fatal. I vetëm me portën, mbrojtësi i Romës bën më të vështirën, e dërgon topin jashtë kuadratit, duke sfiduar në njëfarë mënyre edhe ligjet e fizikës.

I ka dhënë tjetër frymëmarrje e fantazi lojës së kuqezinjve debutuesi Nedim Bajrami, lojtar mjaft elegant me topin, një prurje shumë e vlefshme për kombëtaren. Lodhja dhe dëmtimi e bëri të vetën te lojtari i Empolit në pjesën e dytë, kur u zëvendësua nga Laçi, i cili me freskinë dhe grintën e tij e spostoi lojën në gjysmëfushën hungareze në 15 minutat e fundit. Presioni u bë asfiksues për hungarezët, që tentonin vetëm me kundërsulm, duke iu afruar kështu golit pesë minuta nga fundi.

Pa ikur akoma drithërimat nga porta e Berishës, në një ditë shumë të mirë sot, Broja, që nuk kishte shumë minuta në fushë (zëvendësoi Balajn), lëshon një silur nga distanca, duke e pushuar topin në rrjetën e portës hungareze. Stadiumi “Elbasan Arena” në delir, gëzim i ligjshëm, sepse tërë ajo lojë u përkthye në tri pikë të arta. Mbetemi në lojë për vendin e dytë në grup, çka do të thotë kualifikim në “Katar 2022”. Megjithatë, ka ende ndeshje, nevojiten të tjera prova karakteri si sot.