Transmetuar më 21-05-2021, 11:19

Përditësuar/ Flet me noa.al kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari

Banorët e Lumasit në Kuçovë janë hedhur sot në protestë e cila po vazhdon edhe në këto momente, në përpjekje për të shpëtuar burimin e ujit të Sinecit nga një projekt ndërtimi në zonë. Ata kanë penguar mjetet e firmës për të filluar punën.

Noa.al raporton se mes protestuesve dhe policisë ka pasur konfrontime me pasojë plagosjen e një banori të Lumasit.

Banorët bllokuan mjetet e firmës duke thënë se projekti është bërë pa u konsultuar me asnjë prej atyre që jetojnë aty dhe është shpallur edhe firma fituese, e cila ka filluar punimet për ndërtimin e një ujësjellësi, siç mësoi noa.al nga bashkia Kuçovë.

Burimi i Sinecit që shikoni në foto është një pasuri natyrore që banorët e Lumasit në Kuçovë e konsiderojnë të paprekshme.

Pamje nga protesta e sotme në Lumas

Momentalisht banorët po mbajnë të bllokuar që prej orëve të para të mëngjesit rrugën e fshatit, duke siguruar se nuk do të lëvizin deri në marrjen e një përgjigje të qartë nga autoritetet shtetërore.

Banorët shprehen se nuk lejojnë t’u marrin ujin pasi ky është i vetmi burim që i mban me ujë të pijshëm në këtë zonë.

Noa.al kërkoi një qëndrim nga bashkia Kuçovë që mbulon zonën. Kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i pyetur nga noa.al tha se ujësjellësi i ri që po ndërtohet ka si synim furnizimin me ujë të pijshëm për Lumasin dhe 6 fshatra të tjerë.

"Banorët pretendojnë se burimi i ujit të Sinecit është pronë ekskluzive e tyre dhe po e trajtojnë në këtë mënyrë atë. E vërteta është se ata e duan këtë burim për vaditje, por ujësjellësi që po ndërtohet zgjidh jo vetëm problemin e furnizimin me ujë të pijshëm për 7 fshatra, përfshirë atë ku ndodhet burimi, por lë mjaftueshëm ujë dhe për vaditje për Lumasin".

Hajdari tha se ujësjellësi po ndërtohet me fondin 300 milionë lekë të rinj dhe parashikohet të përfundojnë pas rreth një viti". /noa.al