Transmetuar më 19-03-2021, 18:15

Presidenti Joe Biden u pengua disa herë, pastaj ra në gjunjë ndërsa po ngjitej në shkallët e “Air Force One”, në një seri incidentesh të cilat ngrenë shqetësime mbi shëndetin e tij.

Biden, 78 vjeç, po hipte në avion pak para mesditës së të premtes, për një fluturim në Atlanta, kur edhe u pengua.

Ai u kap në parmak pas humbjes së kontrollit, qëndroi dhe vazhdoi të ecte, por humbi kontrollin për herë të dytë dhe më pas edhe një të tretë.

Në rastin e tretë, ai ra në gjunjë. Presidenti u ngrit përsëri, pastaj u ngjit në shkallë para se të bënte përshëndetjen e rastit, e më tej u fut në avion për të nisur udhëtimin.

Zëvendës Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve se Presidenti ishte ‘100 për qind mirë’ dhe po përgatitej për udhëtimin e tij në Atlanta.

Rrëzimi i Presidentit nuk u raportua menjëherë nga gazetarët që ishin në “Air Force One”.

Vonesa në raportimin dhe pasqyrimin e saj bëri që republikanët, përfshirë Donald Trump Jr, të thoshin se ishte një shembull tjetër sesi mediet kryesore i japin Biden një tjetër trajtim, sigurisht më dashamirës, pasi u dalluan për kritika të ashpra ndaj ish-Presidentit Trump, në katër vjet.

Por rrëzimi  i fundit pas në një varg incidentesh ngrenë shqetësime mbi shëndetin e Presidentit.

Disa muaj më parë,  Presidenti rrëshqiti në shtëpi dhe dëmtoi njërën këmbë.

Në fillim të kësaj jave, Biden gjithashtu u përfshi në disa akuza me Presidentin rus Vladimir Putin. Ky i fundit i uronte Biden të ishte sa më mirë me “shëndet”./a.m/NOA.al