Transmetuar më 29-12-2020, 14:34

Tërmeti me magnitudë 6.4 ballë, që goditi sot Kroacinë pak pas orës 12:00 të mesditës, sipas ekspertëve është më i forti në historinë e këtij vendi.

Raportimet e para të mediave lokale flasin deri tani për një fëmijë të vdekur, ndërkohë që dyshohet se ka viktima edhe në një strukturë që funksionon si azil për të moshuarit.

Ndërkohë, rreth orës 13:34 një tërmet tjetër me magnitudë 4.5 ka goditur sërish qytezën e Sisakut, jo shumë larg Petrinjës.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka folur në telefon me presidenten e komisionit të BE, Ursula von der Leyen, e cila ka premtuar ndihmë urgjente nga unioni.

"Ne jemi gati të ndihmojmë, unë i kam kërkuar komisionerit Janez Lenarcik të shkojë në Kroaci sa më shpejt", – tha von der Leyen.

Ndërkohë pamjet e lëkundjeve të forta sizmike kanë qenë të forta, ku vërehen ndërtesa që shemben dhe njerëz që dalin në rrugë. /e.a/noa.al/