Transmetuar më 13-12-2020, 17:28

Opinion, nga Mehmet Kraja

Më 8 dhjetor 1990, tridhjetë vjet më parë, në Tiranë shpërthyen protestat studentore (e njohur më vonë si “Lëvizja studentore e dhjetorit”), të cilat zgjatën deri më 12 dhjetor dhe nxorën si rezultat rënien e diktaturës dhe rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Në Kosovë kishte mendime të ndryshme dhe ndjenja të përziera rreth këtyre zhvillimeve, por ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës e mbështetëm fuqishëm lëvizjen studentore dhe demokratizimin e Shqipërisë.

E di gjithashtu se në Tiranë shumë më mirë kaluan ata kosovarë që mbajtën qëndrim “të rezervuar” ndaj këtyre ndryshimeve, ata që njohën “vlerat” e trashëgimisë enveriste, që nuk u entuziazmuan me lëvizjen demokratike dhe që më 1997 mbështetën “revolucionin demokratik” të “tre gishtërinjve”.

Që atëherë mund të them se kishte një moskuptim mes Kosovës dhe Shqipërisë, jo nga ato moskuptimet historike dhe të përvojave të gjata dhe tragjike të ndarjes, por më shumë një si ndarje botëkuptimore, e cila konsistonte në të kuptuarit të realiteteve të ndryshme të të dy vendeve: idealistët e Shqipërisë e kishin prioritet demokratizimin, t’i jepej fund makthit të tmerrshëm të diktaturës, më pas të përfshiheshin në lëvizjen politike, e cila do t’i çonte në pushtet; idealistët e Kosovës duhej të zhvillonin dy beteja paralele, njërën më të rëndë së tjetrën: të luftonin për çlirimin e Kosovës dhe të hiqnin qafe trashëgiminë komuniste, të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë njëkohësisht.

Pushteti mund të ishte ëndërr e largët, ose improvizim, si në rastin e LDK-së. Si demokratizimi i Shqipërisë, ashtu edhe çlirimi i Kosovës, për të dyja palët, në ato vitet e fillimit, do të dalë i pakuptueshëm dhe jashtëzakonisht konfuz, në shumë raste.

Vetëm se, atëbotë, si në Kosovë si në Shqipëri, kishte shumë besim dhe entuziazëm, të cilin e shpërdoruan në mënyrën më të ulët klasat politike të të dy vendeve.