Transmetuar më 28-11-2020, 14:14

Dalin pamjet e makinës luksoze “BMW” ku u gjet i vrarë sot paradite 46 vjeçari Ridvan Hyseni.

Hyseni është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Mushan, njësia administrative e Dajçit, në Shkodër.

Atentatorët i kanë zënë pritë 46 vjeçarit që po lëvizte me makinën e tij model ‘X5’ dhe e kanë qëlluar me breshëri. Ata mendohet se kanë qenë dy vetë dhe janë larguar me motor.

Nga pamjet e publikuara duket qartë makina që është qëlluar disa herë me breshëri. Të gjitha xhamat janë thyer, kurse 46 vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Trupi i viktimës ndodhet ende në makinë, dhe i rënë disi djathtas për shkak të plumbave. Policia e Shkodrës po bashkëpunon me atë të Lezhës për kapjen e autorëve. Mësohet se kamerat e karburantit nuk ishin funksionale, çka ngre dyshimet se atentatorët e kanë planifikuar me detaje vrasjen.

Ritvan Ramazani (Hyseni) njihet si i forti i fisit, familja e të cilit ka qenë në konflikt prej kohësh me familjen e Edmir Koçisë.

Ky i fundit është ekzekutuar më 28 nëntor të vitit 2012 në derën e shtëpisë së tij në lagjen “Tepe“, e njëjta datë me ditën kur është vrarë dhe Ritvan Ramazani.

Ritvan Ramazani dyshohet se drejtonte një grup droge në Shkodër dhe më gjerë.

Nga hetimet bëhet e ditur se gjithashtu ai dyshohet se jepte edhe para me fajde.

Në vitin 2008, Ritvan Ramazanit i kanë vrarë edhe vëllain, Enver Hyseni (Ramazani).

FNSH dhe RENEA kanë mbërritur në vendngjarje teksa vijojnë kontrollet për të identifikuar autorin ose autorët e kësaj ngjarje.  /a.m/NOA.al