Transmetuar më 17-11-2020, 07:41

Në Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur eshtra të shqiptarëve të Kosovës të vrarë barbarisht nga serbët vite më parë.

Lajmin e konfirmoi Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”, tha Gërxhaliu.

Në këtë zonë kanë filluar gërmimet prej pesë vjetësh, kurse tashmë kanë hasur në eshtra.

“Në tri javët e fundit, kemi qenë çdo javë nga një ekip i Mjekësisë Ligjore dhe i kemi parë. Sapo ka arritur ekipi i tretë me radhë, ka hasur në mbetje kockore”, tha Gërxhaliu.

“Tashmë ndryshon procedura e punës sepse tani kalon lënda nga prokurori te gjykatësi në Serbi dhe merren vendimet se si do t’i qasemi. Po ashtu, ndërpritet puna me makineri të rëndë, kalohet në vegla dore”, shtoi ai.

Gjetja e mbetjeve mortore në afërsi të Rashkës po ashtu u konfirmua për radion Evropa e Lirë edhe nga ana serbe.

Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, konfirmoi se mbetjet mortore janë zbuluar dje më 16 nëntor.