Transmetuar më 29-10-2020, 20:11

Qytetarët francezë do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për pazar lidhur me blerjen e ushqimeve, vizitat mjekësore, arsye të ngutshme familjare dhe për të udhëtuar për në punë, njoftoi Kryeministri Jean Castex të enjten, përpara bllokimit të ri Covid-19 që fillon sot në mesnatë.

Franca shkon në bllokimin e saj të dytë mbarëkombëtar këtë vit duke filluar nga e premtja, mes një rritjeje të rasteve me Covid-19 që ka kërcënuar të mbingarkojë spitalet Franceze.

Duke dhënë detaje për kufizimet e reja, Castex tha se njerëzit do të lejohen jashtë vetëm për një orë në ditë dhe jo më larg se një kilometër nga shtëpitë e tyre.

Për çdo shëtitje, njerëzit do të duhet të mbajnë një dokument që justifikon praninë e tyre jashtë.

Udhëtimi brenda Francës, përfshirë shtëpitë e pushimeve, do të ndalohet, megjithëse kufijtë me vendet e BE do të mbeten të hapura, tha kryeministri. Vizitat te miqtë ose familja janë gjithashtu të ndaluara.

Më parë gjatë ditës, dhoma e ulët e parlamentit të Francës miratoi masat e reja, pas një debati që u ndal për të mbajtur edhe një minutë heshtje për viktimat e një sulmi vdekjeprurës me thikë në një kishë në qytetin jugor të Nicës.

Sipas masave të reja, shkollat ​​franceze do të kërkojnë që të gjithë nxënësit e moshës gjashtë vjeç e lart të mbajnë maska ​​në klasë, tha Castex.

Deri më tani maskat ishin të detyrueshme vetëm për nxënësit 11 vjeç e lart, por Castex u tha ligjvënësve në parlament se duhen përpjekje të reja "për të mbrojtur të gjithë fëmijët tanë, mësuesit dhe prindërit".

Biznesi lejohet të mbetet i hapur, si garazhet, dyqane ushqimesh, lavanderi, okulistë dhe shitës të gazetave.

Hotelet do të lejohen të mbajnë një aktivitet të reduktuar për udhëtime të lidhura me punën.

Asnjë ceremoni festive nuk do të lejohet, shtoi kryeministri.

Në një fjalim drejtuar kombit të mërkurën mbrëma, Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se, "virusi po përhapet në të gjithë Francën me një shpejtësi që as më pesimistët nuk e parashikuan".

Bllokimi i ri në të gjithë vendin do të zbatohet fillimisht deri në 1 Dhjetor, njoftoi Macron.

Ai tha se bllokimi mund të fillojë të lehtësohet pasi infeksionet Covid-19 të rikthehen në rreth 5,000 në ditë nga rreth 40,000 në ditë që janë aktualisht.

Franca raportoi 244 vdekje nga virusi gjatë 24 orëve të fundit, dhe më shumë se 36,000 raste të reja pozitive.

Gjermania

Sakaq, edhe Gjermania,  ka ashpërsuar masat dhe ka vendosur të rikthehet në izolim më 2 nëntor.

Dje zyrtarët gjermanë ranë dakord për një mbyllje katër-javore të restoranteve, bareve, teatrove dhe pajisjeve të tjera të kohës së lirë, si një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të infeksioneve të koronavirusit. Një veprim vendimtar për të parandaluar një "emergjencë akute shëndetësore kombëtare", tha Kancelarja Angela Merkel.

Kufizimet e reja, të quajtur gjerësisht "drita e bllokimit", do të hyjnë në fuqi të hënën dhe do të zgjasin deri më 30 nëntor. Ato u miratuan gjatë një takimi me video konferencë midis Merkel dhe 16 guvernatorëve të shtetit të Gjermanisë, të cilët janë përgjegjës për vendosjen dhe heqjen e kufizimeve.

Italia

E vështirë paraqitet situata Covid në Itali bazuar në buletinin e sotëm 29 Tetor 2020. Infeksionet e reja të regjistruara në 24 orët e fundit ishin 26,831 (dje ishin 24,991) për një total prej 201,452 (krahasuar me 198,952 një ditë më parë).

Numri i vdekjeve (217) mbetet i qëndrueshëm mbi 200, duke arritur në total në 38,122.  Aktualisht pozitive janë 299,191 (+22,734), ndërsa të shëruarit 279,282 (+ 3,878). Janë marrë masa kufizuese, por nuk ka ende vendim për një tjetër izolim kombëtar.

Greqia

Gjatë 24 orëve te fundit, Greqia ka shënuar një rekord të infektimeve me koronavirus.

Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 1,211 raste të reja, prej tyre 35 në Atikë dhe 275 në Selanik.

Po ashtu 12 qytetarë nuk kanë arritur të fitojnë betejën me virusin e rrezikshëm, duke e çuar në 615 numrin e viktimave që nga shpërthimi i pandemisë. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i rasteve në shtetin grek është 35510, nga të cilat 55.2% janë burra. Autoritetet njoftojnë se 114 bashkëqytetarë po trajtohen me intubim.

Edhe në Greqi situata paraqitet e rëndë gjatë ditëve të fundit, por gjithashtu nuk ka  vendim për një izolim të dytë kombëtar.

Shqipëria

Vendi ynë ndodhet gjithashtu në një situatë të pafavorshme. Shqipëria shënoi sot 6 viktima nga Covid-19. Lidhur me situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit të COVID19 në Shqipëri: Janë kryer 1422 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 275 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 291 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Ekipi teknik vendosi sot që mësimi në Universitete të zhvillohet online deri në një afat tjetër, si një masë tjetër shtrënguese, por nisur nga gjendja e fundit në Europë, dhe në vendet e zhvilluara që na rrethojnë, duket se një izolim i dytë, në nëntor, nëse edhe Italia vendos mbylljen, do të jetë gati i pashmangshëm.

/NOA.al