Transmetuar më 26-10-2020, 13:48

Studiuesit në plazhin “Pelican Point” në Namibi janë bërë dëshmitarë të një pamjeje tronditëse, krejtësisht e panatyrshme.

Për javë të tëra, me mijëra foka të sapolindura janë braktisur nga nënat e tyre, ku më shumë se 12 mijë kanë ngordhur tashmë.

Zakonisht, fokat lindin në muajin nëntor dhe ende nuk dihet se pse kjo ka ndodhur më herët gjatë këtij viti.

Sipas një shoqate në Namibi, shkaku më i mundshëm është ndryshimi i klimës. Rrymat e ngrohta detare kanë një ndikim të madh. Ekspertët janë shprehur se peshqit mund të jenë zhvendosur nga “Pelican Point”, duke bërë që të ketë mungesë ushqimi për fokat.

“Ne nuk mund të përjashtojmë edhe arsye të tjera, si toksinat apo ndonjë sëmundje”, ka shtuar Naude Dreyer, biolog.

Situata duket se po komplikohet përgjatë ditëve. Fillimisht kanë qenë të sapolindurit që kanë ngordhur, ndërsa tashmë ekspertët janë shprehur se edhe fokat e rritura po ngordhin ose janë aq të pafuqishme sa nuk mund të largohen nga plazhi.

“Është tragjike të shohësh këto gjallesa në këtë situatë”, ka thënë Dreyer.

Ndërkohë, ministri i Peshkimit në Namibi ka ngritur edhe më tej alarmin, duke thënë se situata mund të jetë edhe më e rëndë me specie të tjera që mund të kenë ndodhur në zona të tjera bregdetare.

/S.H /NOA.al