Transmetuar më 26-10-2020, 13:27

Raiffeisen Invest mbështet shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë, duke bërë të mundur që çdo fëmijë nga klasa e 1-rë deri në klasën e 9-të, në këtë institucion, të mos i mungoj çanta e re e shkollës dhe çdo material tjetër i domosdoshëm për procesin mësimor.

Gjithashtu, përveç materialeve të domosdoshëm shkollore, si çantave, fletoreve, stilolapsave, etj. Raiffeisen Invest ka dhuruar edhe 8 laptop, të cilët do t’i vijnë në ndihmë fëmijëve për procesin mësimor on line.

Si një institucion i dedikuar të japë kontributin për shërbimin ndaj komunitetit, veçanërisht në fushën e arsimit, Raiffeisen Invest e sheh këtë dhurim si përmbushje të përgjegjësive dhe detyrimeve të saj të përgjegjësisë sociale.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast drejtoresha e marrëdhënieve më publikun dhe marketing në Raiffeisen Bank Znj. Greta Lekaj duke i uruar suksese fëmijëve për vitin e ri shkollor, u shpreh se Raiffeisen Invest ka qenë gjithmonë pranë fëmijëve të këtij institucioni dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.

“Jam shumë e lumtur që jam sot këtu me ju. Ne jemi kujdesur që edhe këtë vit të mos mungojnë çantat e reja dhe çdo gjë tjetër e domosdoshme në çantën tuaj të shkollës, duke shpresuar se do t’i mbushni këto fletore vetëm me nota të mira. Ju urojmë shumë suksese dhe një vit sa më të mbarë në rrugën e dijes!” u shpreh znj.Lekaj.

Drejtoresha e shtëpisë së fëmijë Znj. Suela Lilollari falënderoi Raiffeisen Bank, Raiffeisen Invest për kontributin e vazhdueshëm të dhënë në ndihmë të këtij institucioni.

“Shprehim mirënjohjen dhe konsideratën për kontributin e dhënë për fëmijët e institucionit tonë. Investimi në ndihmë të dijes është vlerë, e veçanërisht për këtë fëmijë. Ndihma juaj e pakushtëzuar është kontribut në ndihmë të integrimit të tyre akademik dhe social”.