Transmetuar më 25-10-2020, 14:26

Ministrja e Shëndetësisë tha sot se sistemi nuk është në kolaps si pasojë e koronavirusit.

Nga Spitali Infektiv, Ogerta Manastirliu tha se spitali i tretë COVID do të hapet atëherë kur të ezaurohen kapacitetet tek Infektivi dhe Sanatoriumi.

“Nuk ka kolaps të sistemit shëndetësor. COVID nuk është lojë, e gjithë bota është në vështirësi. Jemi të përgatitur për disa skenarë. Spitali ‘COVID 3’ do hapet kur të ezaurohen kapacitetet”, deklaroi ministrja.

Teksa numri i të infektuarve rritet, ministrja e cila zhvilloi një takim me mjekë dhe infermierë të Spitali Covid1, u shpreh se strukturat shëndetësore janë gati të nisë funksionimin e spitalit të tretë për të sëmurët me koronavirus.

“Sa për ata që dalin e flasin nga foltoret apo dritaret e facebookut i vëmë përballë faktet dhe punët që flasin vetë. Dhe sërish i sugjeroj të na bashkohen në këtë betejë duke bërë të paktën një gjë që nuk kërkon ndonjë “sakrificë të madhe”, dhe që bëhet edhe nga divani i shtëpisë: të ftojnë njerëzit të mbajnë maskën, ruajnë distancën dhe të lajnë shpesh duart”, shkruan Manastirliu. /k.k/noa.al/