Transmetuar më 09-10-2020, 14:31

Një kompani franceze po përpiqet që të shndërrojë urinën e njeriut në një produkt për përdorim në bujqësi. Ideja e kompanisë është që të mbledhë dhe përpunojë urinën për të zhvilluar një pleh nga një burim i bollshëm natyror njerëzor.

“Toopi organics”, është emërtimi i këtij projekti, i cili pret që të marrë dritën jeshile nga autoritetet për të shitur produktet e urinës.

Ideja e rrallë erdhi pasi Michael Roes, i cili drejtonte një kompani të plehrave organikë, takoi dikë që punonte në sektorin e banjave, i cili u ankua për vështirësinë e se çfarë të bënte me të gjithë urinën e mbetur.

Shkencëtarët kanë diskutuar lidhur me përdorimin e urinës si një pleh organik prej vitesh, duke pasur parasysh lëndët ushqyese që përmban.

“Është plotësisht e mundur që të përdoret urina e njeriut si një pleh”, tha për revistën shkencore ‘Scientific American’ në fillim të vitit, Helvi Heinonen-Tanski, një shkencëtar ambiental.

Kjo është për shkak se urina përmban nivele të larta të azotit, kaliumit dhe fosforit, përbërësit kryesorë që gjenden te plehrat.

Kompania franceze pretendon se ideja e tyre nuk është vetëm një mënyrë e mirë për të përdorur një produkt të konsideruar si mbeturinë, por ka një sërë dobish për bujqësinë. /a.y/noa.al