Transmetuar më 06-10-2020, 10:07

Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës së urisë, kur qysh nga nisja e saj, kanë konsumuar vetëm ujë dhe sheqer.

Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet tejet e rënduar, për shkak të mungesës së ushqimit.

Pikërisht prej shëndetit të përkeqësuar, po mendohet që dhjetë naftëtarët grevistë të zëvendësohen me kolegë të tjerë.

“Ne kërkojmë një zgjidhje, një përgjigje nga qeveria. Jemi shokuar dje me ato pamjet në parlament. Ata blejnë votat dhe nuk po marrin dot djersën tonë. Unë e di që do vdes por jo këtu brenda, nuk do të bëjnë ata show me jetët tona”, tha njëri nga naftëtarët grevistë.

Naftëtarët janë futur në grevë pasi pretendojnë se kanë disa muaj, deri në mbi një vit rroga pa marrë, duke thënë se kanë mbetur në mes të rrugës dhe puna është ndërprerë dhe se pavarësisht protestës në Tiranë, askush nuk i priti.

Janë rreth 800 punëtorë të mbetur pa punë pas mbylljes së rafinerisë së naftës, që administrohet nga “Tosk Energji”. /a.y/noa.al