Transmetuar më 04-10-2020, 17:44

Ndonëse kishte vetëm dy vjet në Shqipëri, futbollisti nga Gana i Tiranës, Winnful Cobbina, mori pak ditë më parë nënshtetësi shqiptare.

Ai e mori nënshtetësinë dy ditë para ndeshjes së Tiranës, në Europa League, kundër Basel. Teksa Cobbina mori nënshtetësi shqiptare, Tirana ka të drejtë që të aktivizojë një tjetër futbollist të huaj, bazuar në rregulloren dhe numrin limit të lojtarëve të huaj, të përcaktuar nga FSHF.

Por në media është aluduar se Presidenti Ilir Meta me vendimin kur i akordoi ganezin nënshtetësi Shqiptare, ka shkelur ligjin.

Sipas një artikulli të botuar në të përditshmen “Tema” ligji nuk lejon që një i huaj të marrë nënshtetësi Shqiptare, nëse nuk ka jetuar prej të paktën 5 vitesh në Shqipëri.

Në artikullin e Bazes, akuzohej presidenti Meta lidhur me parregullsi në dhënien e nënshtetësisë për lojtarin e FK Tiranës, Winnful Cobbina, ndërsa veç Presidencës ka reaguar klubi “Tirana”, si dhe më pas është mbrojtur publikuesi i artikullit Mero Baze.

Fillimisht reagoi zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi, që e quajti Mero Bazen “zëdhënës dhe ‘tualet’ të zyrës së Rilindjes”, por i është përgjigjur gazetari Mero Baze.

Baze nuk ka kursyer si ironinë teksa thotë se Meta mund të jetë “President i Shoqatës të të burgosurve nga Reforma në Drejtësi”, por edhe akuzat e rënda duke i përmendur episode të shkuara si kur “ky dhe ortaku në pushtet kanë vrarë, kanë vënë bombë në makinë, më kanë nxjerrë nga redaksia me policë etj. Përkundrazi atë e kam parë të tmerruar”.

Sakaq, ka reaguar edhe klubi “Tirana”, duke i kërkuar botuesit që të përgënjeshtrojë lajmin, madje e ka quajtur sulm ndaj bardhebluve denoncimin në fjalë.

Reagimi i klubit "Tirana":

Duke marrë shkas nga akuzat e artikuluara në shtyp, të iniciuara nga “Gazeta Tema", KF Tirana është e detyruar të sqaroj se:

Lojtari i KF Tirana, Ëinnful Essua Cobbina, ka fituar shtetësinë Shqiptare konform të gjitha ligjeve të vendit tonë, saktësisht ligjit, Nr. 113/2020 “PËR SHTETËSINË”, specifikisht, Neni 9, pika 1, për fitimin e shtetësisë, për rastet e veçanta, ku sanksionohet qartësisht se shtetësia mund të fitohet nga një shtetas i huaj, i cili ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.

Lojtari i KF Tirana Cobbina, i ka përmbushur të gjitha kushtet ligjore si dhe ka respektuar të gjitha procedurat për marrjen e shtetësisë Shqiptare me kërkesë të lojtarit si edhe me kërkesë te klubit.

U bëjmë thirrje të gjitha mediave, veçanërisht gazetës “Tema”, që për të disatën herë adreson sulme ndaj klubit tonë, të qëndrojë korrekte e të prezantohet në publikun e gjerë si një media serioze. Përdorimi i termit “terrorist” dhe krahasimi i tij me një institucion si ai i KF Tirana apo edhe shtetasëve të saj, të cilët respektojnë cdo legjislacion dhe i shërbejnë të mirës publike, kurrsesi nuk duhet të pranohet nga opinion i gjerë, e diçka e tillë konsiderohet si një term i papranueshëm dhe mjaft i rëndë nga klubi ynë. Një media që pretendon të informojë publikun e gjerë duhet të tregohet profesioniste në raportimin e lajmit dhe jo të promovoj thirrje raciste e ofenduese. Kurrsesi një media nuk mund të përdhosë identitetin e një individi, i cili ka të drejtën e tij, konform të gjitha ligjeve që të posedojë pasaportën Shqiptare. Lutemi shumë që përmes artikujve të tillë të mos shtrembërohen virtytet e mikpritjes së Shqipërisë, për cilindo që e ndjen veten pjesë të saj.

Tirana kërkon të ketë nje reflektim nga ana e gazetës “Tema” si edhe një falje publike për akuzat e pavënda ndaj KF Tirana dhe tifozërisë së saj!

Reagimi i Mero Bazes:

Më paska sulmuar Presidenti duke më kërcënuar me "tmerrim", kur të vij në pushtet, disa ditë pasi ka vajtuar për sulmet ndaj Ylli Ndroqit me të cilët ndan planin e biznesit dhe programacionin e tij.(Mund t’ia provojë po ka kurjozitet). Tani ky në pushtet është, se më shumë se president të Republikës, nuk e bëjmë dot. Vetëm nëse e ka fjalën kur të bëhet President i shoqatës së të burgosurve të Reformës në Drejtësi, se më shumë se kaq pushtet sa ka, si japim dot.

Plus kësaj kam tërë jetën në opozitë me këtë, kur ka qene kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër e president. Sjam tmerruar, as kur ky dhe ortaku në pushtet kanë vrarë, kanë vënë bombë në makinë, më kanë nxjerrë nga redaksia me policë etj. Përkundrazi atë e kam parë të tmerruar.

E inkurajoj ta mbaj fjalën, e jo të më marrë në telefon e të më thotë "O vëlla Blushin lexon ti? Ai është budalla ja shkruan Monika".

/NOA.al