Transmetuar më 03-10-2020, 18:48

Kombëtarja shqiptare ka publikur listën e futbollistëve që do të grumbullohen për ndeshjet e këtij muaji.

Ekipi ynë kombëtar do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Armenisë në 7 tetor dhe dy ndeshje të tjera zyrtare, të vlefshme për Ligën e Kombeve, kundër Kazakistanit në datën 11 tetor dhe kundër Lituanisë në datën 14 tetor.

Të treja ndeshjet do të zhvillohen në transfertë.

Paraqitjet e mira të Shqipërisë U21 në ndeshjet e fundit ka sjellë menjëherë ndryshime në organikën e kombëtares së madhe.

Sherif Kallaku ka arritur të fitojë menjëherë pas kalimit në Kroaci një vend në kombëtare, teksa e njëjta gjë vlen edhe për Albi Dokën.

Tiranasi ka shkëlqyer te Gorica në Kroaci dhe pritet të zëvendësojë Elseid Hysajn në tre ndeshjet e programuara, teksa shihet si një lojtar ideal për skemën 3-5-2 të Rejas.

Një tjetër emër i ri është mbrojtësi i Lokomotiva Zgareb, Jon Mërsinaj, i cili ka fituar vend titullari këtë sezon me kroatët dhe do provojë t’i bëjë konkurrencë yjevve të tjerë që Shqipëria ka në difensivë.

Gjithashtu edhe Enis Çokaj ka mundur të fitojë besimin e Rejës dhe të marrë ftesë.

Surprizë e madhe është grumbullimi i Marko Mollës, portieri i të rinjve të Bolonjas, të cilin Reja e ka bindur dhe e ka bërë menjëherë pjesë të kombëtares së madhe, teksa më parë është aktivizuar me të rinjtë e Italisë.

Surprizë e madhe është mungesa e Hysajt dhe katër lojtarëve të sulmit, Roshi, Balaj, Cikalleshi, Sadiku, që prej vitesh mbajnë peshën e ofensivës, por këtë herë stafetën ia kanë lënë emrave si Vrioni, Manaj, Seferi, Kamberi e Broja dhe do duhet ta shohin kombëtaren nga televizioni tashmë.

Më poshtë lista

Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Marco Molla.

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku, Marash Kumbulla, Lorenc Trashi, Ramen Çepele, Hysen Memolla, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Albi Doka, Frederik Veseli.

Mesfushorë: Ermir Lenjani, Keidi Bare, Lindon Selahi, Myrto Uzuni, Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Endri Çekiçi.

Sulmues: Armando Broja, Florian Kamberi, Rei Manaj, Xhakomo Vrioni, Taulant Seferi.