Transmetuar më 11-09-2020, 14:10

Një vajzë pesë-vjeçare, e cila disa muaj më parë humbi macen nga një sëmundje e pashërueshme, vendosi që t’i shkruaj një letër maces Tin Tin, direkt në “Parajsë”.

Nëna e saj ishte përpjekur ta bindte, duke shpjeguar se qielli ishte shumë larg për të dërguar letra, por pas më pak se një jave, çuditërisht, erdhi përgjigja.

Vogëlushja Nevaeh Lowe, e cila jeton në Walton-on-Thames, Angli, e vuajti shumë humbjen e maces së saj, e cila ngordhi pas një sëmundje të pashërueshme në zemër. Vajza e vogël kishte frikë se Tin Tin, do të ndihej shumë vetëm larg familjes dhe prandaj vendosi të shkruante dhe postonte letrën, duke bashkangjitur gjithashtu një foto kur ajo dhe macja ishin së bashku.

“Më mungon shumë, ti je macja më e mirë në botë, të dua dhe nuk do të të harroj kurrë. Unë kam një foto tonën bashku, tani e ke edhe ti. Të dua, Nevaeh”, thuhej në letrën e vajzës.

Mami Tamara ishte përpjekur ta bindte vajzën e saj të hiqte dorë shkrimi i asaj letre, por çuditërisht Nevaeh, e mori përgjigjen nga Tin Tin. Përgjigja u shkrua nga një postier, i cili i ngacmuar nga adresa “Parajsë” vendosi që ta hapte.

Por përveç përgjigjes, postieri i dërgoi vogëlushes një mace pelushi shumë të ngjashme me Tin Tin, si dhe një libër për mace, shkruan noa.al.

“Faleminderit që më shkrove këtë letër dhe që më dërgove foton, do të thotë shumë për mua. E ngjita pranë shtratit tim të butë këtu në Parajsë. Unë dua që ta dish se jam mirë, kam bërë shumë miq. Njëri prej tyre, Tibbles, gërhet shumë kur flemë gjumë. Ndërsa engjëjt më ushqejnë dhe sillen shumë mirë me mua. Unë e di që je e mërzitur sepse nuk jam aty me ty, por nuk duhet të jesh. Këtu për ty ka një mace prej pelushi që më ngjan mua, kështu që kur të jesh e mërzitur mund ta përqafosh, siç bëje me mua. Është edhe një libër mbi macen Mog, këtu ai është i famshëm, mund ta lexosh bashkë me mamin. Nëse ke nevojë të flasësh me mua, kërko yllin më të ndritshëm në qiell dhe unë do të jem atje për të dëgjuar. Unë gjithmonë do të jem shoku yt më i mirë, Tin Tin”, thuhej në letër.

Përgjigja e pabesueshme, siç raportohet edhe nga Mirror, e la Tamara, nënën e Nevaeh pa fjalë. “Vajza ime as nuk mund të flinte natën, mendoj se kjo letër mund ta ndihmojë atë të vazhdojë më tej. Arrita ta gjejë postierin, të cilin e falënderoj shumë, edhe pse deri më tani kam folur direkt vetëm me gruan e tij. Ajo më shpjegoi se edhe ata kanë mace dhe për këtë arsye ata e kuptuan situatën në mënyrë të përsosur. Tani që Nevaeh e di se Tin Tin është mirë, ajo ka rigjetur qetësinë. Çdo mbrëmje shikon qiellin dhe kërkon yllin e saj të veçantë”, thotë Tamara. /a.y/noa.al