Transmetuar më 05-08-2020, 10:54
Foto ilustruese, det i trazuar ne Himare

Katër pjesëtarë të një familje i ka zënë furtuna në det, mëngjesin e sotëm, kur moti ishte me shtrëngata dhe shira të rrëmbyer.

Mësohet se burri, gruaja dhe dy djemë  kishin dalë në det, në zonën e Gjipesë, Dhërmi, për të mbledhur rrjetat e peshkimit, kur i ka zënë stuhia.

Tre burrat  kanë mundur të shpëtojnë, ndërkohë që trupi i gruas nuk është gjetur ende, për shkak të detit të trazuar.

Të shpëtuarit janë dërguar drejt spitalit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Dyshohet se gruaja mund të jetë rrëmbyer nga dallgët dhe të jetë mbytur, ndërkohë që hetimet lidhur me ngjarjen janë në vijim. /a.y/noa.al

Deklarata zyrtare e policisë

Policia Kufitare dhe roja bregdetare shpëtojnë tre shtetas që rrezikuan të mbyteshin në det, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos.

Vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur.

Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit Robert Rama, Fatjon Resulaj dhe Avdyl Rama, ndërsa shtetasja Mirela Rama nuk është gjetur ende. Vijojnë  kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.

Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.