Transmetuar më 06-07-2020, 18:29

Vajza e mbijetuar e familjes Josifi, e cila humbi dy anëtare për shkak të refuzimit të ushqimit si pasojë e besimit të tyre, është rrëfyer për gjithçka çfarë ndodhi në shtëpinë e tyre dhe fatin tragjik të nënë e motrës. Ajo tregoi se e motra u fut në ngujim duke ndalur ushqimin dhe ia doli të mbijetojë afro 52 ditë e më pas vdiq. Vajza tregon edhe si i iku edhe nëna, pasi që të dyja ndalën edhe ato ushqimin

Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije, se Blerta Josifi 34-vjeçare, e cila tentoi të vetëflijohej duke mos ngrënë për disa ditë më radhë, por që fatmirësisht shpëtoi, ka thënë përpara grupit hetimor, se bashkë me nënë e motrën besonin te ringjallja, por ritet e besimit i kryenin në shtëpi.

"…Kemi qenë edhe në Kishën Ungjillore. Dy vitet e fundit u shkëputëm dhe nuk shkonim në asnjë kult fetar por besonim në ringjallje dhe i kryenim ritet në banesë”, tha ajo.

Hapin drejt vetëflijimit për shkak të besimit, ajo ka rrëfyer se e kishte ndërmarrë e para motra e saj Anisa, e cila prej 15 muajsh qëndronte e pajetë në banesë, ndërsa Blerta dhe nëna e saj e lyenin trupin me vaj e uthull.

“Ritet e ringjalljes fillimisht i nisi Anisa në fillim të vitit 2019. Qëndroi duke u lutur dhe pa ngrënë gati 2 muaj deri në 27 mars të 2019 ku ra në gjumë të thellë sepse u pushtua nga demonët. Motrën e lyenim me uthull se kështu na mëson bibla jonë”, – tha Josifi.

Më pas ajo tregoi se pasi motra e saj ra në gjumë, sakrificën e këtij besimi e nisi ajo me nënën, Zhanetën, ku konsumonin vetëm ujë të filtruar në napa.

“Një vit pasi motra ra në gjumë nisem sakrificën unë dhe mami. Pinim vetëm ujë të filtruar në napa dhe nuk konsumonim ushqim. Gjithë ditën luteshim për të kthyer në jetë motrën. Në ditët e para të korrikut, me 2 mars,  mami ra pa ndjenja në mes të dhomës ku po lutej. Ndërsa unë vazhdova ritin derisa erdhi policia”, tregoi vajza e mbijetuar.

Ngjarja e rëndë u zbulua gjatë së enjtes së shkuar, ndërsa këtë të hënë ekspertë të fushës kanë dezinfektuar shtëpinë e familjes, teksa kanë bërë të mundur edhe largimin e dyshekut ku ka qëndruar për 15 muaj e vdekur Anisa, në pritje të ringjalljes.