Transmetuar më 06-07-2020, 12:28

Katër ditë pas ngjarjes tragjike, forcat zjarrfikëse janë rikthyer në shtëpinë e familjes Josifi! Qëllimi është dezinfektimi i ambienteve, teksa kanë bërë të mundur edhe largimin e dyshekut ku ka qëndruar për 15 muaj e vdekur Anisa, në pritje të ringjalljes.

Kanë qenë fqinjët që e kanë bërë një kërkesë të tillë për shkak të erës së keqe që vinte nga kjo banesë. Edhe pse trupi i pajetë i Anisës është lyer me vaj e me uthull për 15 muaj me radhë, në mënyrë që të mos ndihej era, aroma ka deportuar edhe në shtëpitë e fqinjëve, të cilët mendonin se e gjitha vinte për shkak të tubacioneve dhe nuk e kishin çuar ndërmend se në pallatin e tyre mbahej e vdekur e reja. Krevati ku kishte qëndruar Anisa ishte pranë dritares së dhomës së gjumit, pranë së cilës ishte vendosur edhe një ventilator.

Report Tv është futur në ambientet e brendshme të shtëpisë në zonën e Kombinatit ku kanë jetuar Zhaneta, Anisa dhe Blerta, kjo e fundit ka arritur të shpëtojë.

Siç shihet në video, mund të thuhet se kushtet ku ka jetuar familja Josifi kanë qenë të mira, çka përjashton mundësinë se shkak për vetëvrasje kanë qenë vështirësitë ekonomike. Gjithçka ka mbetur nga ajo shtëpi janë mobiljet, teksa mësohet se familjarët kanë ardhur për të marrë sendet me vlerë.

Lidhur me këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik, pritet dëshmia e Blertës, të vetmes së mbijetuar nga ajo familje. Pas përmirësimit të gjendjes së saj shëndetësore, pasi aktualisht ndodhet rëndë në Psikiatri në Tiranë, dëshmia e saj pritet t’u japë përgjigje shumë pyetjeve të pazbardhura ende përse u vetëvranë, si, kur ka vdekur Anisa.

Vetë Blerta u gjet në kushte të rënda shëndetësore mbrëmjen e 2 korrikut në banesën ku edhe e ëma e saj Zhaneta dhe motra Anisa ishin të pajeta. Ndërkohë policia e Tiranës ka nisur edhe një verifikim në disa prej institucioneve fetare ku dyshohet se pjesëtarët e familjes Josifi kishin qenë anëtare apo kishin kontakte, pasi kishin lënë Përmetin dhe ishin vendosur me banim në Tiranë. Zhaneta Josifi 56-vjeçe dhe e bija Anisa Josifi 30-vjeçe, u përcollën në banesën e fundit në Përmet, aty ku prehet dhe bashkëshorti i Zhanetës dhe babai i Anisës, prej 6 vitesh, i cili edhe ai vrau veten duke u hedhur nga pallati.

Flet e mbijetuara e ngjarjes horror në Kombinat: Motra ndenji 52 ditë pa ngrënë, e pushtuan ‘demonët’