Transmetuar më 02-05-2020, 12:16

Arrest me burg ka vendosur Gjykata e Tiranës për të dyshuarin si terrorist i ISIS i kapur në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Vizitori”.

21-vjeçari Komron Zukhurov, do të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Gjatë seancës së sotme të masës së sigurisë, i riu shprehu aprovimin për ekstradim drejt Gjermanisë.

I riu nga Taxhikistani kishte mbërritur në Shqipëri dy muaj e gjysmë më parë në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa u vu në pranga mbrëmjen e së mërkurës, në qendër të Tiranës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Zukhurov kishte hyrë në Shqipëri më 17 shkurt dhe jetonte me një familje nga Taxhikistani në kryeqytet, ndërkohë që dyshohet se mund të kryente akte terroriste.

Policia tha zyrtarisht se i dyshuari ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21 prill 2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e tij. /a.y/noa.al