Transmetuar më 30-03-2020, 11:08

Shkon në 223 numri i personave të prekur nga koronavirusi, pasi në 24 orët e fundit janë shënuar 11 raste të reja, ndërsa është shënuar edhe viktima i 11-të mëngjesin e sotëm.

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se në 24 orët e fundit janë testuar 90 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1526 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 223 raste.

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 79-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. 79-vjeçari me inicialet B.H. ishte prej 18 ditësh i shtruar në spitalin infektiv. I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit, por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak. 79-vjeçari është viktima i 11-të i prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar. Prej tyre 7 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” ka një pacient të shtruar.

Raportohet se janl 4 të shëruar në 24 orët e fundit dhe deri tani janë 44 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Fier, Shkodër, Tropojë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 124 raste – Durrës 14 raste – Lushnje 4 raste – Elbasan 5 raste – Fier 23 raste – Kavajë 4 raste – Rrogozhinë 2 raste – Korçë 14 raste – Vlorë 5 raste – Shkodër 7 raste – Lezhë 5 raste – Berat 1 rast – Has 2 raste – Krujë 5 raste -Tropojë 4 raste – Pukë 3 raste – Mirditë 1 rast