Transmetuar më 25-02-2020, 13:16
Ilir Meta, Tedi Blushi

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i përgjigjet kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“I dashur Tao Tao, ti je shumë i zënë me punët e Kongresit që po afron dhe s’ke patur kohë të lexosh deklaratat e shoqes Etilda dhe shoqes Spiropali, pas miratimit të ligjit anti-kushtetues të betimit të gjyqtarëve buzë Lanës, me pretendimin absurd se kanë marrë miratimin e SHBA/BE. Ju po vazhdoni t’i keqpërdorni ambasadorët dhe të fshihni të vërtetën e grushtit të shtetit. Si mund të thonë ambasadorët të shkelet Kushtetuta?! Ju e shkelni e thoni na thanë ambasadat!”, shkruan Blushi.

Ai pyet se si mund të thonë ambasadorët që të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese, teksa shton se mazhoranca e vjedh dhe thotë se iu thanë ambasadorët.

Po ashtu Blushi pyet se si mund të thonë ambasadorët falsifikoni në dobi të kapjes së shtetit, siç “u kap në flagrancë shoqja Etilda?!”

“Ju i falsifikoni dhe thoni na thanë ambasadorët!”, shton më tej ai.

Blushi deklaron se eprori i tij, Presidenti Meta i ka respektuar dhe i respekton denjësisht të gjithë ambasadorët që kanë integritet dhe përfaqësojnë me dinjitet vendet dhe organizatat e tyre, si dhe vlerat e liritë demokratike.

Po ashtu thotë se Presidenti Meta në veprimet e tij institucionale kurrë nuk keqpërdor asnjë ambasador dhe diplomat të huaj, por i referohet vetëm Kushtetutës, si ligjit më suprem në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë linjë shprehet se, “Ndryshimet e fundit kushtetuese janë miratuar me 140 vota sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe mbështetjen e SHBA/BE. Ja provat e fundit si i shpërdoroni ju me pacipësi partnerët tanë të nderuar.”

Ky qëndrim vjen pasi në një komunikim të sotëm për mediat, Balla iu përgjigj Pre4sidentit lidhur me mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit.

“E dini atë përrallën dhelpra dhe rrushtë? Përgjigjen e keni aty, lexojeni me vëmendjen. Nuk jap asnjë koment, refuzoj që të bëj çdo koment drejt një Presidenti që tashmë ka humbur çdo sjellje kushtetuese dhe normale për të vijuar për të qenë më President. Por gjithçka ka artikuluar këto ditë, më e rënda është një lloj sjellje ndaj ambasadorëve të akredituar në Shqipëri.  Kjo ka të bëjë edhe me atë që është zakoni i shqiptarit, që kjo sjellje me kërcënime me paketime, nuk ka të bëjë me zakonin e shqiptarit. Ne jemi mikpritës, aleatë besnikë të SHBA-së”, u shpreh Balla.

Ai tha se Presidenti problemet e tjera të lidershipit të opozitës duhet t’i zgjidhë pa zhurmë dhe të mos shqetësojë qytetarët shqiptarë.  /a.y/noa.al

Meta kallëzoi 3 zyrtarët, Gjonaj: Gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK, por dhe atij vetë publikisht

Spiropali: Më 2 mars Meta synon t’i bëjë puç shteti Bashës, për kreun e opozitës