Transmetuar më 20-02-2020, 21:21

Policia e Vlorës parandaloi dhe goditi një tentativë për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme  e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Mbetjet vinin me traget nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë

Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 6 persona përgjegjës.

Gjithashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale trageti, një fugon mallrash dhe një sasi e madhe e dyshuar me mbetje amianti.

Policia tha se nga operacioni policor i koduar “Amiant”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Të arrestuarit janë:

K.Xh., 65 vjeç, banues në Vlorë

A.Ç, 28 vjeç, banues në Vlorë

A.G, 48 vjeç, banues në Vlorë

F.T, 71 vjeç, banues në Vlorë

E.Ç, 55 vjeçe, banuese në Vlorë

Z.K, 45 vjeç, banues në Vlorë

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës  Brindisi – Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Transportimi i mbetjeve”./NOA.al