Transmetuar më 14-01-2020, 08:00

Fundjavën e lënë pas princi Harry i Anglisë dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle komunikuan vendimin për të hequr dorë nga roli i tyre, përfitimet dhe detyrimet si pjesë e familjes mbretërore.

Lidhur me këtë vendim, mbretëresha Elizabeth nuk kishte folur. Fjala e sovranes u tha të hënën, pas një mbledhje me të gjithë anëtarët e familjes mbretërore në Sandringham, Norfolk.

Në deklaratën zyrtare të mbretëreshës thuhet se familja dhe ajo personalisht e mbështesin dëshirën e Harry dhe Meghan për të krijuar një jetë të re si një familje e re.

Megjithatë ajo shton se do të preferonim që ata të mbeteshin anëtarë që punojnë me kohë të plotë të familjes mbretërore,por se e respektojnë dhe e kuptojnë dëshirën e tyre për të jetuar një jetë më të pavarur si familje, duke mbetur një pjesë e vlerësuar e familjes.

“Harry dhe Meghan kanë sqaruar se nuk duan të mbështeten në fondet publike në jetën e tyre të re. Prandaj është rënë dakord që do të ketë një periudhë tranzicioni në të cilën ata do të kalojnë kohë në Kanada dhe në Britaninë e Madhe”, thuhet në deklaratë.

Në mbyllje shtohet se këto janë çështje komplekse për t’u zgjidhur, dhe ka ende shumë punë për të bërë, dhe se vendimet përfundimtare do të merren në ditët në vijim. /a.y/noa.al