Transmetuar më 10-01-2020, 10:41

Djali vrau gruan në shtëpinë ku kishte shkuar për të grabitur, babai e mohon dhe kërkon që shteti t’ja sjell në fshat, ku thotë se do e hedh me duart e tij në rezervuarin e fshatit Gjernës, aty ku u gjet e vdekur Drita Saliaj.

Syrja Zotaj kërkoi që shteti të marrë masa për djalin 26-vjeçar Ervis Zotaj, ose në të kundërt thotë se do e vrasë vetë.

“Djalin e mbështes me plumb në kokë. Të pushkatohet se nuk e dua. E rritëm me lakra. Të më bëjë këtë. Qeveria të ma sjellë se e vras vetë, e bëj hasha”, tha Syrjai i revoltuar.

Edhe nëna e Ervisit kërkoi që djalin ta lyejnë me benzinë dhe ti vënë flakën, ndërsa viktimën e cilëson një grua shumë të mirë, të cilën kishte një jetë që e njihte.

“Të ma sjellin këtu, po s’e vrava. Ai më ka borxh kokën. Unë do iki nga këtu dhe do shkoj në Gjerbës e do i them më vrit mua. Unë si prindër vete vetë atje dhe iu them të më pushkatojnë”, tha më tej babai.

Si të dyshuar për krimin e 5 janarit u bë arrestimi i nipit të burrit të viktimës, Luis Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës dhe e dy shokëve të tij Sindi Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.

50-vjeçarja Drita Saliaj, u gjet e vdekur gjatë së martës në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër.

Viktima u sulmua në banesën e saj mbrëmjen e 5 janarit, nga nipi i burrit dhe dy shokët e tij, të cilët kishin shkuar për të grabitur, ndërsa ndodhej vetëm në banesë, pasi burrin e kishte në emigrim.

Teksa nuk e dinin se ndodhej në banesë, ata janë përballur me të zonjën e shtëpisë, të cilën e kanë dhunuar, e kanë lidhur me shall dhe e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.

Policia e Fierit tha zyrtarisht se në orët e para të mëngjesit të së martës, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e Drita Saliaj, 50 vjeçe, të cilët denoncuan largimin e saj nga banesa.

Pas marrjes së denoncimit, efektivët e policisë organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen.

Pas hetimeve të kryera rezultoi se djali i vëllait të burrit të viktimës, në bashkëpunim me dy shokë të tij, në datën 5 janar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i saj. /a.y/noa.al