Transmetuar më 07-01-2020, 17:26
Foto ilustruese

Policia ka dhënë detajet e para për ngjarjen e rëndë që mori jetën e një gruaje në fshatin e Gjerbës në Mallakastër.

Autoritetet njoftuan se në vrasjen e 50-vjeçares Drita Saliaj, e cila u rrëmbye më parë ka gisht nipi i bashkëshortit të saj.

Trupi i saj i pajetë është gjetur sot nga policia dhe polumbarët e RENEA-s në rezervuarin e fshatit. Dyshohet të jetë vrasje nga tre të rinjtë që shkuan në shtëpinë e saj për të grabitur, por ajo i pikasi.

Për tu ruajtur, ata vendosin ta rrëmbenin dhe thuhet se mund ta kenë vrarë. Pas denoncimit të familjarëve, policia arrestoi tre persona.

"Pas hetimeve të kryera rezultoi se nipi i shtetases së humbur (djali i vëllait të burrit), në bashkëpunim me 2 shokë të tij, në datën 05.01.2020 kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës", njofton policia.

Tre të dyshuarit, të akuzuar për vrasje janë: L. S., 16 vjeç, banues në Gjerbës, S. Sh., 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe E. Z., 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme./noa.al/