Transmetuar më 07-01-2020, 15:12

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu e ka konsideruar 2019, si vitin më të rëndë për vendin sa i takon ekonomisë e sidomos asaj familjare. Përmes një deklarate për mediat ai u shpreh se parashikimi i LSI i FMN dhe Bankës Botërore për uljen e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2019 rezultoi i vërtetë.

"Ekonomia shqiptare është drejt një stanjacioni të frikshëm që rëndohet në mënyrë katastrofike nga koncensionet. Në vitin 2020 pagesat për koncensionet do të rriten me 16% krahasuar me një vit më parë. Me gjithë situatën shumë të rëndë financiare pas tërmetit asnjë lek nuk iu prek koncensioneve por përkundrazi, iu shtuan.

Ndërsa banorët janë në mes të acarit dhe të ftohtit në çadra, qeveria ka vetëm një merak, të vazhdojë dhe të grabisë para me koncensione korruptive dhe shkatërrimtare për ekonominë në kurriz të mijëra shqiptarëve", tha Spahiu.

Më tej ai theksoi se ekonomia jonë, gjatë vitit 2019 vazhdoi me një bilanc tregtar negativ, madje të përkeqësuar.

"Gjatë vitit 2019 qytetarët por dhe bizneset u përjashtuan nga përfitimet e rishpërndarjes së taksave në investime publike. Rilindja nuk bëri asnjë investim në porte, aeroporte, hekurudha por vetëm fjalë e mashtrime. Kësaj situate të rëndë i shtohet raporti mjaft negativ i Doing Business, ku Shqipëria rënditet në vendet e fundit në rajon. Për shkak të rilindjes, indeksi i perceptimit të korrupsionit e rëndit Shqipërinë ndër 3 qeveritë më të korruptuara të botës", shtoi ai.

Sipas tij kjo situatë shumë e rëndë ekonomike ka çuar në largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, sidomos i rinisë, për pasojë mungese të theksuar të njerëzve të aftë për punë si dhe ulje në nivele shqetësuese të të ardhurave kryesisht ato nga TVSH, si tregues kryesor i rënies së konsumit.

"Shqipëria aktualisht është e paaftë të konkurrojë ofertat për punë që vijnë nga vendet e tjera sidomos ato të BE-së. Financat publike janë përballë rreziqesh tronditëse reale. Janë rreth 64 miliardë lekë detyrime të fshehta. Në buxhetin e vitit 2020 nuk shohim asnjë stimul fiskal që të nxisë prodhimin dhe konsumin. Situata tepër e rëndë bën të pamundur uljen e borxhit publik në nivelet mashtruese që propogandon qeveria me 62%. Borxhi real është 80%.

Edhe në buxhetin e vitit 2020, nuk do të ketë indeksim të pagave, ndërsa do të vazhdojë me atë që di të bëjë më mirë, rritje taksash si të qeverisë por dhe ato vendore. Kujtoj rritjen e fundit të taksave në Bashkinë e Tiranës. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme e kësaj krize të rëndë që ka kapur vendin", u shpreh Spahiu./b.l/noa.al/