Transmetuar më 07-01-2020, 13:33

Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë ditës së sotme në zyrat e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve të Integruara, ku sportelet e ADISA-s, nëpërmjet portalit e-albania.al do të asistojnë qytetarët për 472 shërbimet e reja online, pëveç mbi 150 shërbime qëndrore dhe vendore që kanë ofruar më parë.

Në fjalën e rastit Rama tha se nëpërmjet portalit e-albania, mund të kryhen lehtësisht procedurat për dokumente shtetërore që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë.

Ai deklaroi se të gjithë duhet ta dinë që kjo do jetë një fazë tranzitore e pastaj do të mbyllen përfundimisht këto kontakte.

“Këto që sot funksionojnë si sportele, do funksionojnë si zyra shërbimi nga brenda. Pra sportelistët nuk do jenë më në pritje të njerëzve, por do jenë para kompjuterit. Do marrin aplikimin që qytetari do e bëjë nga shtëpia, do e bëjë nga telefoni i vetë dhe nëse dikush është pensionist e nuk di ta përdori, ia jep nipit apo mbesës dhe në momentin që vjen aplikimi, gjithë dokumentet që deri dje qytetari do t’i merrte vetë, – janë sportelistët që janë më, jo në kontakt me qytetarin, – do t’i marrin brenda për brenda zyrave të shtetit dhe qytetari do ta marrë po online përgjigjen. Do i thuhet paraqitu në filan datë për të marrë atë që ke kërkuar, në rast se kjo nuk jepet ende online”, tha Kryeministri Rama.

Janë 52 shërbime të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që janë online dhe se aktualisht janë thjeshtuar dokumentet.

Po ashtu janë 101 dokumente që nuk i kërkohen më qytetarëve, por janë punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që do i marrin këto dokumente online dhe se aplikimet janë riformatuar dhe pagesa është bërë elektronike.

Në vijim kreu i qeverisë bëri me dije se në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime.

Ai shtoi se sot, dëshmia e penalitetit merret direkt nga shtëpia dhe se pasi bëhet kërkesa ajo vjen në kompjuter me vulë elektronike.

“Kështu nuk ka më mundësi as për zvarritje, as për historia. Më e rëndësishmja është që qytetari mund ta ndjekë, ku është situata dhe gjithë monitorimi që bëmë ne nga brenda dhe nëse një kërkesë kalon afatin, personi përgjegjës përgjigjet pse u kalua afati. Në fund, kjo zyrë nuk do jetë më një zyrë pritje me njerëz që vijnë, por do jetë një zyrë që do punojë nga kompjuteri sepse njerëzit nga shtëpia do dërgojnë kërkesën”, tha kreu i qeverisë.

Rama sqaroi se synimi është që të mbyllet faza që gjithë aplikimet të jenë online, teksa garantoi se edhe hipoteka do të merret në kompjuter. /a.y/noa.al